MENU
klinika

Rrëfimi prekës

Kush e detyroi Kate që të tregonte se është prekur nga kanceri?

23.03.2024 - 11:33

Gjithë spekulimet dhe teoritë e çuditshme për Kate Middleton morën fund pasditen e së premtes, më 22 mars 2024, kur princesha e Uellsit, e ulur në një stol, tregoi se ishte prekur nga kanceri, duke mos dhënë më shumë detaje mbi llojin dhe gradën e sëmundjes.

42-vjeçarja shpjegoi se zbuloi praninë e kancerit nga ekipi i saj mjekësor, pasi bëri teste për operacionin që kreu në zonën abdominale, në janar të këtij viti. Gjatë gjithë këtyre muajve, qysh prej janarit e deri afër fundit të marsit, interneti, rrjetet e ndryshme sociale, mediat, komentuesit dhe V.I.P-at e detyruan Kate të tregonte se është prekur nga sëmundje e tillë. Teoritë konspirative, shakatë për ndërhyrje estetike, pretendimet për tradhti, mendimet se ajo kishte lënë bashkëshortin se ai e kishte tradhtuar, spekulimet se kishte ndërruar jetë etj, kaluan nga një rrjet social në tjetrin, ndërkohë që princesha ishte duke bërë kimioterapi dhe duke u kujdesur për tre fëmijët e saj të vegjël.

“Kanë qenë ca muaj jashtëzakonisht të vështirë për të gjithë familjen tonë”, u shpreh princesha në video.

Të jemi të sinqertë, megjithëse e vlerësojmë maksimalisht guximin e saj për ta thënë publikisht se është prekur nga kanceri, sërish, bota nuk kishte pse e detyronte ta tregonte, kur Kate nuk ndihej ende gati. Në njëfarë mënyre apo një tjetër, interneti, media dhe të gjithë e detyruan princeshën të tregonte diçka tejet personale, duke përdorur konspiracione që thjesht nuk po merrnin fund, pavarësisht se ajo u shfaq dy herë publikisht.

Që të kthehemi prapë në gjenezë: Më 17 janar 2023, pallati Kensington njoftoi se Kate kishte bërë një operacion të planifikuar në zonën abdominale dhe se do të kalonte 10-14 ditë në spital, për të marrë veten. Në deklaratë, pallati u shpreh publikisht se Kate do të rikthehej në sytë e publikut për Pashkë, më 31 mars. Deklarata nuk mund të ishte më e qartë. Teknikisht dhe praktikisht, Kate kërkoi për një pushim nga puna e saj që të merrte veten nga ndërhyrja dhe siç po e mësojmë tani, edhe nga procesimi i faktit që kanceri është prezent në trupin e saj. Me një logjikë të thjeshtë: Kate nuk do të shfaqej publikisht deri për Pashkët!

Por, duhet ta pranojmë se jetojmë në epokën e internetit dhe gjithnjë joshemi nga teoritë konspirative, duke u munduar të gërmojmë e të gjejmë gjëra të çuditshme dhe kur nuk ka të tilla. Në rastin e princeshës së Uellsit, “lëvizja” #WhereIsKate lindi pa ndonjë arsye të qëndrueshme, ose pa baza në ndonjë veprim që ajo bëri.

Mund të ketë nisur si shaka, ose si një shqetësim real, por sapo publikohet online, askush nuk mban më përgjegjësi. Trendet bëhen virale dhe nuk dinë të ndalojnë. Njerëzit ndërveprojnë me teoritë konspirative jo gjithnjë sepse i besojnë ato, por sepse janë argëtuese dhe një mënyrë e mirë për të kuptuar meme-t, për t’u përfshirë në shaka, ose për të bërë ndonjë thashethem. Pra, rrjetet sociale janë si një group chat në WhatsApp, ku ne zgjedhim një temë diskutimi dhe shohim me kërshëri si do të trajtohet dhe sa larg mund të shkojë. Kjo është shumë në rregull nëse është e paqëllimshme, ose nuk ka në qendër një person real, i cili në fakt, është duke vuajtur shumë. Në këtë rast, që prej fillimit është bërë e qartë dhe privatësia nuk është një çështje me të cilën mundet të luhet, veçanërisht kur personi në fjalë ka kryer një operim.

Kate, në mënyrë të sjellshme ka kërkuar vetëm një gjë: Privatësi. Si çdokush, pavarësisht titullit e famës, ajo meriton të ketë privatësi, në mënyrë që këtë sëmundje ta kalojë pranë familjes dhe fëmijëve dhe jo para lenteve kurioze të paparacëve që kanë si qëllim thjesht të shesin fotot e saj.

Ndaj, le të shërbejë rasti i Kate Middleton si një mesazh për të gjithë, që të jemi më njerëzorë edhe me personazhet e famshëm që kemi përreth. Interneti nuk mund të ngatërrohet me jetën private të dikujt. Nuk është momenti të kalojmë në një shënjestër tjetër, është momenti të reflektojmë.

Deri më tani, shumë komentues kanë reflektuar. Në videon e publikuar nga princesha në Instagram, komente të tipit: “Uroj që media të ndihet shumë e turpëruar për sjelljen e neveritshme. Princesha u detyrua të bënte këtë mesazh jashtëzakonisht të vështirë. Ne duhet ta kishim lejuar të rikuperohej në privatësi dhe paqe”; “Mendoj se është e tmerrshme që ne e detyruam ta bënte këtë. Kjo grua e gjorë donte privatësi dhe media shkatërroi gjithçka”; “Më thyhet zemra kur e mendoj se si njerëzit supozojnë që kanë të drejtë dhe se kjo grua dhe familja e saj i detyrohet për diçka, madje edhe se si duan të dinë gjithçka, gjithë kohës. Nuk duhet t’i kishin shtuar stres, ndërsa po përjeton diçka kaq sfiduese në jetën e sasj. I uroj më të mirat. Ajo është një qenie njerëzore, një nënë, grua, vajzë, motër si fillim dhe më pas, një figurë publike” ishin ca prej komenteve.

“Ne shpresojmë që ju ta kuptoni që ne si familje kemi nevojë për pak kohë, hapësirë dhe privatësi, ndërsa unë kryej trajtimin tim”, tha Kate në video dhe urojmë që të gjithë ta marrin të qartë mesazhin, ashtu siç duhet të kishin bërë që më 17 janar.