MENU
klinika

Vetëm 30 vjeç

Kush është “truri” i ISIS-K që përgjaku Moskën, SHBA 10 mln dollarë për kokën e tij!

25.03.2024 - 21:46

Në verën e vitit 2023 ai u raportua i vrarë në Kunar, por talebanët janë të bindur se ai është ende në komandë, ndoshta i fshehur në territorin pakistanez…

Kur Sanaullah Ghafari, mori drejtimin e Shtetit Islamik-Khorasan, ai ishte shumë pak i njohur. Kishte paqartësi rreth origjinës së tij, madje edhe identitetit të tij të vërtetë. Ishte vera e vitit 2020. Nuk iu desh shumë për t’u bërë i njohur përmes sulmeve vdekjeprurëse.

Historianët e ekstremizmit shpjegojnë se Ghafari, i lindur në 1994, u rrit në Kabul, ku studioi inxhinieri, një disiplinë që tërhoqi shumë kuadro të Kaedizmit. Por jeta e tij mori një rrugë tjetër dhe ai u bë anëtar i një aparati sigurie, një punë që më vonë shkaktoi dyshime nga talebanët. Është e lehtë ta paraqesësh si “agjent” të qeverisë republikane. Në realitet këto mbivendosje nuk janë të rralla. Kreu aktual i Al Kaedës, egjiptiani Seif al Adel, shërbeu në një trupë elitare dhe po ashtu edhe ndjekësit e tjerë të luftës së shenjtë. Eksperiencat me uniformë u vunë në dispozicion të “vëllezërve”, me avantazhe të mëdha për organizatat që kërkonin ekspertë, mësues të këqij, manipulues.

Ghafari, edhe para se të merrte frenat, kishte marrëdhënie me skaje të ndryshme të fundamentalizmit në tabelën e shahut. Po flasim për realitete të kufizuara në të njëjtat zona, ndoshta me të njëjtat kanale furnizimi. Janë marrëdhënie fluide, pragmatike, lindin dhe zhduken në varësi të momentit. Është momenti kur “ushtari Sanaullah” do të kishte ndarë momente me klanin famëkeq Haqqani, krahu më radikal i talibanëve, me bazë në rajonin e Kandaharit, i aftë në ndërtimin e kontakteve me këdo që mund t’i sjellë të ardhura, i njohur për lojërat me inteligjencën e rajonit.

Vetëm 30 vjeç/ Kush është "truri" i ISIS-K

Megjithatë, talebanët janë bërë kundërshtari më i afërt i “Khorasanit”, ku janë dyndur shumë disidentë. I njohur me emrin “emir”, Ghafari e vendosi theksin e luftës te sulmet, bombardime dhe atentatet intensive. Kjo për të zgjeruar radhët dhe për të paraqitur një program alternativ për të pakënaqurit mes mullahëve. Propaganda e brendshme e përkufizoi atë si “një luan”, duke theksuar aftësinë e tij për të kryer aktivitete brenda qyteteve. Dhe ideja për ta çuar luftën në qendrat e popullsisë, duke synuar ambasadat, hotelet dhe institucionet, doli efektive. Shteti Islamik pa shumë nga “oficerët” e tij të vdisnin.

Në fillim të prillit 2023, ai publikoi një audio për të nderuar “martirizimin” e disa liderëve, duke përsëritur dëshirën e tij për të ecur përpara. Në fakt, sipas thashethemeve të rrjedhura nga hetimet, Khorasan planifikoi sfidën e re në mesin e vitit të kaluar me disa lëvizje. Regjistrimi dhe rekrutimi i muxhahidëve në ish-republikat sovjetike, veçanërisht në Taxhikistan. Infiltrimi i bashkëpunëtorëve në Evropë. Rritja e mbështetësve në Turqi. Dërgimi i parave përmes korrierëve dhe shkëmbyesve të parave. Komunikimi me platforma ueb. Vendosja e udhëzuesve në shtetet afër objektivave, pra burra që japin urdhra ose thjesht “këshillojnë” dhe më pas duke u lënë pasuesve autonomi se si ta bëjnë sulmin.

Imazhi i Ghafarit si një armik i madh është rritur, një pozicion i “shenjtëruar” dhe nga çmimi prej 10 milionë USD të ofruara nga SHBA për kokën e tij. Në verën e vitit 2023 ai u raportua i vrarë në Kunar, por talebanët janë të bindur se ai është ende në komandë, ndoshta i fshehur në territorin pakistanez ose në Baluchistanin e trazuar. Një raport i OKB-së i publikuar në janar konfirmoi thelbin e këtyre analizave: është “emiri” ai që drejton vallen e vdekjes së një rrjeti me ambicie të pafundme.