Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë ka publikuar në fletoren zyrtare qarkore sipas së cilës emigrantët shqiptarë do të lejohen të kalojnë lirshëm me vërtetimin blu deri në 31 dhjetor 2024.
Kjo qarkore rrëzon atë të mëparshmen, sipas së cilës shqiptarët e Greqisë do të pengoheshin të qarkullonin pas 31 marsit, nëse ishin në pritje të lëshimit apo rinovimit të lejes së qëndrimit.
Ambasada shqiptare në Greqi ka sqaruar të gjithë shqiptarët që janë në proces aplikimi për paisje/ripaisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës në Republikën e Greqisë.
“Gjatë periudhës 31/03/2024 deri më 31/12/2024, lejohet dalja në një vend të tretë, jashtë shteteve anëtare të shengenit, dhe rihyrja e shtetasve të vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Greqi, mbajtës të:
Një vërtetimi të vlefshëm aplikimi për pajisje për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi, sipas neneve 10 dhe 11 të ligjit nr. 5038/2023 ose
Një vërtetimi të vlefshëm të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, sipas nenit 16 të ligjit nr. 5038/2023, me kusht që të dalin nga Greqia brenda periudhës së sipërpërmendur dhe të posedojnë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia.
Nga ky Vendim përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në proces aplikimi për pajisje/ripajisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës shqiptare në Greqi.