Qirinj dhe lule janë vendosur në vendin ku u qëllua për vdekje me thikë, 19-vjeçari Grei Bihuci paraditen e djeshme (11 mars) në qendër të qytetit të Fierit.
Kolegët e viktimës, i cili punonte në një bar-pastiçeri në Fier, kanë marshuar drejt vendit ku u vra i riu dhe kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj pranë fotografisë së tij.
Me lot në sy kolegët e tij e kanë vlerësuar 19-vjeçarin që humbi jetën si një djalë me të gjitha vlerat më të larta njerëzore, humbja e të cilit do tu krijojë një boshllëk të madh e të pazëvendësueshëm.
Ndërkohë familja e 19- vjeçarit ka hapur dyert e mortit dhe i riu do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit.
Si ndodhi krimi
Një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, ku në konflikt janë përfshirë 4 të rinj.
Dyshohet se autorët e krimit të rëndë janë dy kushërinjtë, Florjan Muka dhe Klajdi Muka (djem xhaxhallarësh).
Ata kanë goditur me thikë 19-vjeçarin, i cili humbi jetën rrugën në spital, pasi nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe plagosën shokun e viktimës, 20-vjeçarin Olti Serjanaj, që hyri për të shuar konfliktin.
18-vjeçari Florjan Muka u arrestua në vendngjarje ditën e djeshme (11 mars) pas krimit të rëndë, ndërsa kushëriri i tij, Klajdi Muka, 17-vjeç u arrestua ditën e sotme.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur reth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes”, njoftoi policia.
19-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.
Gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në shkollë dhe ka bërë vetëm dy orë, duke lënë orët e tjera të mësimit. Vetëm një orë më pas u shënua krimi tronditës që kthen edhe njëherë në vëmendje dhunën mes adoleshentëve.