Janë publikuar pamjet e momentit të atentatit në Shkodër, të ndodhur më 12 mars në fshatin Grudë e re, ku mbeti i plagosur studenti i Akademisë së Sigurisë Gjergji Ndërshtiqaj dhe kunati i tij, Gjon Nika.
Shiko këtu VIDEO-n.
Siç shihet dhe nga pamjet autorët, që dyshohet se janë tre, kanë qëlluar me breshëri në drejtim të makinës së tyre për më shumë se një minutë.
Në momentin e të shtënave, Gjon Nika ka ikur me vrap, ndërsa Gjergji Ndërshtiqaj është fshehur pas makinë.
Në momentin që makina u përfshi nga flakët për shkak të plumbave, Ndërshtiqaj largohet pak metra më tutje dhe po ashtu autorët arratisen me një mjet ngjyrë gri, i cili shumë pak larg vendngjarjes u gjet i djegur.
Në lidhje me këtë ngjarje, pistat e hetimit janë dy, e para, sulm për shkak të detyrës ndaj Gjergji Ndërshtiqajt, i cili ishte polic në zonë dhe njëkohësisht student në Akademinë e Sigurisë për të marrë statusin e oficerit.
Gjithashtu pistë është goditja për shkak të vëllait të tij, Marjan Ndërshtiqaj i cili është Drejtor i Drejtorisë rajonale të shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër.
Për të arritur zbardhjen e kësaj ngjarje, janë marrë në pyetje dy të plagosurit, por ata janë shprehur se nuk kanë probleme me askënd dhe nuk e dinë se kush i ka qëlluar.