MENU
klinika

Eksperti: S’ka më pikiatë, por në bregdet…

“Nga 800-1000 euro metri në Tiranë konsiderohet lirë”

01.03.2024 - 12:53

Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme është rrjedhojë e rritjes së kostove të ndërtimit. Eglent Bici, sipërmarrës në fushën e pasurive të paluajtshme” thotë se tashmë rritja vjen si pasojë e cilësisë më të mirë të punimeve në ndërtesat e reja.

Ai shprehet në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se rritja e çmimit duhet të na gëzojë pasi tregon shtimin e kërkesës. Bici thotë se tashmë Tirana është e ndarë në tre tipologji pronash: zona e vilave në periferi dhe e pronave elitare në qendër, zona e Unazës së Vogël dhe pjesa tjetër. Tashmë ka ndryshuar edhe koncepti i çmimit “të lirë” kur bëhet fjalë për të blerë një pronë.

Eglent Bici: Nëse flasim për 800, 900, 1000 euro metri katror se praktikisht kjo ka shkuar tashmë e lirë në Tiranë…

Aldo: Më e lira është 800?

Eglent Bici: Po, nuk besoj se ka më lirë, sepse kostot e ndërtimit janë rritur shumë. Në qoftë se jo më larg se përpara 5-6 viteve në Tiranë ti kishe mundësinë të ndërtoje me 300 euro metri katror, sot kostoja e ndërtimit nuk të shkon më pak se sa 650-700 euro metri katror sepse cilësia është rritur shumë. Cilësia e 3-4 viteve të fundit për mendimin tim, është e denjë për çfarëdo lloj…

Aldo: Le të themi që pas tërmetit.
Eglent Bici: Tërmeti e shkundi pak, por jo vetëm. Klientët, blerësit, njerëzit tashmë nuk kërkojnë të blejnë vetëm metra katrorë, në qoftë se para 5,7 apo 8 viteve ishte pyetja “sa euro është metri katror”, tashmë nuk është sa euro është metri katror, por kush është ndërtuesi, cilat janë specifikimet teknike të punimeve, si është pjesa e parkimit, çfarë kam afër…

Sa i përket rritjes së mëtejshme të çmimeve, Bici thotë se nuk pritet që të ngrihen më tepër në Tiranë por bregdeti do të vijojë të paktën për 5 vitet e ardhshme.

Aldo: Kjo është periudha kur çmimet kanë arritur pikun dhe më pas presim rënie apo…

Eglent Bici: Sipas një analize timen, u bënë 14 vite tashmë në treg, me thënë të drejtën mendoj që Tirana është në një moment që nuk ka për të patur më pikiatë lart. Ka për të patur rregullim, pra mund të jetë një rregullim poshtë apo një rregullim i vogël lart, por tregu i bregdetit mendoj që ka për të patur rritje përsëri, të paktën për 5 vitet e ardhshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nuk ka më apartamente me qira poshtë 300 €“

Ndërtimet s’ndalin shtrenjtimin e shtëpive gjatë 2022!