Komedia brilante “Një shtrat plot me të huaj” e autorit Dave Freeman dhe me regji të Adelina Muçës u shfaq me shumë sukses në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Për dy mbrëmje me radhë artdashësit durrsakë që kanë mbushur plot sallën janë argëtuar me humorin që përcjell kjo shfaqje dhe kanë duartrokitur lojën e shkëlqyer të aktorëve.
Komedia e përkthyer nga Kastriot Çipi dhe me regji të Adelina Muçës është një shfaqje me plot situata komike, të çuditshme e të furishme të cilat me kulmet e tyre sjellin humor dhe argëtim për publikun. Ajo vjen si një shfaqje argëtuese plot të papritura dhe njerëz të panjohur që përfundojnë në të njëjtën dhomë hoteli. Nuk mungon as muzika dhe kërcimi.
Në këtë komedi interpretuan aktorët e njohur Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Amos Muji Zaharia, Mimoza Marianaku, Rudina Dembacaj, Selma Bakalli.
Komedia do të vijojë të shfaqet në teatrin e Durrësit edhe sot e nesër.