MENU
klinika

Skema e re për vitet e punës

Pensionet: Vështirësitë e pagesave me bankë

28.03.2024 - 13:32

Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do të marrë 500 më tepër.

Por problemi i pensioneve duhet parë shumë më gjerë. Nevoja është madhe sepse jemi në kushtet kur një pension mesatar në qytet ose në zonat rurale nuk e kalon vlerën 180 euro që është larg minimumit jetik.

Ekspertët thonë se skema e sotme që siguron të ardhurat për pensionet e ka sekretin te numri i kontribuesve.

Më para ka qenë e përballueshme sepse ishim 4 ose 5 kontributor për një pensionist, por largimi masiv i të rinjve dhe i krahut të punës ka bërë që të jetë raporti 1.1 kontributor për 1 pensionist.

Çdo vit për të përballur këtë disbalancë vjen nevoja që skema sociale e pensionit të mbështetet nga një transfertë që vjen nga buxheti shtetit.

Dhe kjo sa vjen edhe shtohet.

Ky është justifikimi i qeverisë për mosrritjen e pensioneve, por nëse do bëhej një menaxhim më i mirë i të ardhurave, sidomos te PPP dhe koncesionet, atëherë mund të kishte fare lehtë përmirësim dhe rritje të pensioneve.

A është kjo forma e duhur? Pra duke bërë një ligj për të rritur pensionet?

Ky projektligj e bën rritjen e pensionit në mënyrë progresive dhe faza e parë fillon përmes vendosjes së një pensioni minimal. Hartuesit propozojnë që për çdo vit të ketë një rritje 3 mijë lekë të vlerës duke arritur në një vlerë totale që të jetë 300 euro një pension minimal.

Disa ekonomistë janë kundër rritjes së pensioneve përmes një vullneti politik. Sepse kështu pensionistët bëhen të varur nga vullneti politik, pra është qeveria ose Kuvendi që e ka në dorë nëse do ose jo ta rrisë pensionin minimal.

Ndërkohë që skema nuk duhet të ketë ndikim nga politika, por të të funksionojë mbi një logjikë ekonomike. Në këtë mënyrë ruhet dinjiteti i pensionistëve që nuk do jenë në pritje të vullnetit të qeverive që venë e vijnë.

Hapësirë rritje për pensionet ka! Ajo lidhet me treguesit për rritje të qëndrueshme. Nëse duam që ta ndryshojmë skemën aktuale nuk mund të vij përmes një propozimi si projekti i paraqitur disa ditë më parë. Sepse ata kanë propozuar si vlerë pensioni minimal dhe baza është 18 mijë lekë. Por ky nuk është argument ekonomik, sepse nuk vendoset pensioni minimal mbi bazën e një minimumi jetik sepse pensioni mesatar është si totali i pensioneve që jepen pjesëtim për numrin e pensionistëve. Dhe kjo ka riskun që mund të ndryshoj nga viti në vit.

Por ne si shoqëri në vitet e ardhshme ne do të kemi një problematikë, sepse do të kemi individë që nuk kanë deklaruar pagat e tyre të plota dhe individë që nuk kanë paguar sigurime shoqërore.

Ndërkohë u fol për rroga 900 euro te zyrtarët e administratës. A mund të ishte e njëtrajtësuar kjo rritje edhe me pensionet? Duhet të ishte. Por nuk u bë. Gjithsesi, edhe rritja e kontributeve që do vijë nga rritja e pagave, duhet të shkojë për pensionistët. Qeveria duhet ta kanalizojë patjetër këtë të ardhur te pensionet.

Ndërkohë sic është njoftuar, nga 3 prilli, të gjithë pensionistët do nisin procedurën për ta marrë pensionin në bankë.

Kjo nuk do të jetë e lehtë. E para lidhet me aftësinë e moshës së tretë për të përdorur teknologjinë.

Por edhe me pamundësinë që do të ketë sektori bankar për ta ofruar këtë shërbim.

Pritet që nisma nuk do të ketë një shtrirje në të gjithë vendin fillimisht.

Sepse është e pamundur, edhe nga ana e sistemit bankar të përballohet. Ata kanë deklaruar se do të duket një numër i shtuar personeli.

Nga ana tjetër, ka shumë të moshuar që nuk shkojnë dot për ta tërhequr pensionin në bankë. Ata mund t’ja japin kartën një të njohuri.

Skema e re për të plotësuar vitet e punës! Si mund të përfitohet, kushtet dhe dokumentet! Ja sa është pagesa minimale

Për të përfituar pension nuk mjafton vetëm të keni mbushur moshën, duhet po ashtu të keni 15 vite punë.

Ata të cilët nuk e plotësojnë këtë prag, pra që kanë më pak se 15 vite, por edhe ata që duan pension më të lartë mund të përfitojnë nga skema e sigurimit vullnetar. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije kategoritë që mund të përfitojnë nga kjo skemë, dokumentet që duhen dhe çfarë është më e rëndësishme sa varion kjo pagesë dhe në cilat raste aplikohet zbritje.

“Sigurimi Shoqëror Vullnetar, një mundësi më shumë për të gjithë ata, që kanë periudha të paplotësuara kontributive. Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që: Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm; janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre dhe së fundmi nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi”.

Sigurimet mund të paguhen jo vetëm për vitin korent. Pra në këtë rast, jo vetëm për vitin 2021, por edhe për vitet e kaluara.

Por, si llogaritetet kontributi vullnetar? Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se “Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar”.

Kjo do të thotë që kontributet mund të derdhen për paga që variojnë nga 40 000 lekë që është pragu minimal deri në 176.4 që është edhe paga maksimale. “Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa”, bën me dije Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kështu, kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2024 është 8,640 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 40,000 lekë x 21.6%”,.

Por skema ofron edhe lehtësi. Nëse ju do të parapaguani, pra nëse në janar do të paguani kontributet për gjithë vitin atëherë aplikohet 6 për qind zbritje. “Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6- mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar)”.

SI PAGUHET

Për të përfituar nga kjo skemë mjafton të paraqiteni në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Përveç fotokopjes së librezës së punës, duhet po ashtu fotokopje e librezës së kontributeve në rast se disponohet, si edhe fotokopje e kartës së identitetit. Pas informacionit të marrë nga inspektori i sigurimit vullnetar, bëhen llogaritjet e periudhave të punës, konstatohen periudhat boshe dhe dakordësohet për periudhat që qytetari është i interesuar që t’i mbulojë me sigurim vullnetar. Inspektori i sigurimit vullnetar i Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore plotëson dokumentin tip “Urdhër veprimi” dhe ia jep atë të interesuarit.

Me “Urdhër veprim”, sqaron më tej ISSh, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar (një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes).

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re, në qoftë se nuk ka.

SHEMBULL

Një person që është në prag të mbushjes së moshës ose e ka mbushur moshën që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme, duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare.

Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën trevjeçare. Masa kontributive që do të paguajë qytetari për këtë periudhë është 8,640 lekë për një muaj.

Në rastin kur qytetari nuk e ka mbushur moshën, ai mund të blejë periudhë kontributive sa të dëshirojë. Në rastet kur blihen periudha të kaluara nuk aplikohet zbritje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN