Policia e Shtetit me anë të një reagimi ka mohuar lajmet e qarkulluara në rrjetet sociale se ka rënë sistemi TIMS në Rinas.
Sipas policisë, çdo gjë funksionon normalisht, ndërsa thekson se ka fluks të shtuar të turistëve që duan të vizitojnë Shqipërinë.
Policia e Shtetit thotë se është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar.
“Sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe ka rritur vigjilencën për kapjen e shtetasve në kërkim, parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Lajme të tilla të pavërteta të cilat krijojnë pakënaqësi dhe cenojnë imazhin e punës së Policisë, duhet të konfirmohen nga autoritetet policore”, thuhet në reagimin e Policisë.