Socialistët kanë gati propozimet për ndryshimin e ligjit zgjedhor. PS propozon depolitizim të Komisioneve Zgjedhore, votë me postë për emigrantëve dhe transparentë të fondeve.
Dy ekspertët e PS-së, Eridian Salianji dhe Viktor Gumi janë hartuesit e propozimeve, të cilat i prezantuan dje në tryezën e ekspertëve të Reformës Zgjedhore, me ndërmjetësimin e OSBE/ ODIHR.
DEPOLITIZIMI I KOMISIONEVE ZGJEDHORE
Në lidhje me depolitizimin e komisioneve zgjedhore dy ekspertët socialistë propozuan që Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV) të përbëhet nga tre anëtarë, të emëruar nga administrata e KQZ duke u përzgjedhur nga trupa e komisionerëve të gatshëm dhe të trajnuar dhe certifikuar paraprakisht nga KQZ. Një prej anëtarëve kryen edhe detyrën e sekretarit të KQV. Kurse Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) të përbëhet nga pesë anëtarë, të përzgjedhur nga KQZ. E njëjta skemë si me monitoruesit është edhe për Grupet e Numërimit të Votave të cilat përbëhen nga dy anëtarë, të emëruar nga Komisioneri i KQZ nga trupa e trajnuar dhe certifikuar paraprakisht nga KQZ dhe nga katër monitorues politikë, si më lart, të cilët nuk kanë asnjë te drejtë vendimmarrje.
Për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë depolitizimit, PS kërkon që trupa e komisionerëve zgjedhore të krijohet nga përzgjedhja mes radhëve të administratës shtetërore që kanë statusin e nëpunësit civil, punonjësit e arsimit, dhoma e avokatëve, dhoma e noterisë, si dhe çdo shtetas tjetër që përmbush kriteret arsimore dhe të pastërtisë, të cilët u nënshtrohen paraprakisht trajnimit të detyrueshëm duke u certifikuar nga KQZ. Për punonjësit publikë, trajnimi propozohet të jetë i detyrueshëm dhe të bëhet pjesë integrale për ecurinë në karrierë. Për përzgjedhjen e komisionerëve, propozohet që të bëhet me short nga lista e atyre që janë të trajnuar.
VOTA E EMIGRANTËVE
Në lidhje me votën e emigrantëve, në draftin e paraqitur nga dy ekspertët e Partisë Socialiste, Eridian Salinji dhe eksperti Viktor Gumi, propozohet që shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të votojnë nëpërmjet postës dhe zarfi me fletën e votimit duhet të ketë mbërritur në KQZ jo më vonë se ditën e votimit. Për këtë, ata do të duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së banimit të tyre jashtë vendit në përputhje me ligj nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Ndërsa në Kodin Zgjedhor, propozohet ndryshimi duke përcaktuar afat kohor brenda të cilit KQZ duhet të miratojë aktet përkatëse nënligjore për votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit (psh. jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore të vitit 2025) si dhe kohën se kur KQZ fillon procedurën e regjistrimit të shtetasve me banim jashtë vendit dhe që kanë shprehur vullnetin për të votuar në zgjedhjet parlamentare.(psh. jo më vonë se 90 ditë nga dita e zgjedhjeve). – Vota e shtetasve me banim jashtë vendit do të llogaritet dhe tabulohet në tabelën e rezultateve të qarkut më të fundit ku ka pasur vendbanimin në Shqipëri votuesi. Numërimi i votave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit do të bëhet në KQZ dhe fillon në momentin kur fillon numërimi i votave në KZAZ-në më të parë për qarkun respektiv.
TRANSPARENCA E FONDEVE
Mes propozimeve të paraqitura nga dy ekspertët socialistë, është dhe rritja e transparencës së fondeve të partive politike dhe kontrolli i tyre. PS propozon që në Kodin Zgjedhor të vendoset afat konkret për transferimin e fondeve nga buxheti i shtetit partive politike, si dhe te shtohet financimi publik për kandidatet e pavarur. Një vend të veçantë zë dhe mospërdorimi i burimeve shtetërore. Në draftin e diskutuar sot, PS mësohet se ka propozuar që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet se përben veprimtari të ndaluara për t‘u promovuar çdo veprimtari publike gjate fushatës 30-ditore zgjedhore, pavarësisht nëse ka qenë planifikuar ose jo me fonde të buxhetit të shtetit.