India, aktualisht blerësi më i madh i naftës ruse krahas Kinës, ndaloi blerjen e naftës bruto premium ruse (ESPO) gati dy muaj më parë.
Para luftës së Rusisë në Ukrainë, India rrallë blinte naftë ruse, por pasi Moskës i mbaroi blerësit evropianë për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës në përgjigje të pushtimit të saj në Ukrainë, Kremlini rriti tregtinë me Kinën, Indinë dhe Turqinë, duke u ofruar atyre zbritje të mëdha.
India, e udhëhequr nga kryeministri Narendra Modi, ishte blerësi kryesor i këtij lloji të naftës ruse.
Zëvendëskryeministri rus Aleksander Novak tha në dhjetor se India është bërë blerësi kryesor i naftës ruse dhe eksportet në atë vend janë rritur me rreth 40 për qind.
Rafinerët privatë indianë luftuan me kompanitë e pavarura në Kinë pranverën e kaluar gjatë ‘jagmës’ së tyre të përbashkët për naftën e papërpunuar ESPO, e cila rriti vazhdimisht çmimin e saj, raportoi Reuters.
Por e përditshmja ruse Kommersant raportoi të premten se India, blerësi më i madh i dërgesave detare të naftës ruse, ka refuzuar të blejë naftën ruse të cilësisë së lartë të ESPO, e cila ka një përmbajtje të ulët squfuri, më pak se 0.6 përqind, për rreth dy muaj.
Importet u ndaluan në janar dhe shkurt, tha Kommersant, duke cituar të dhëna nga platforma e mbledhjes dhe analizës së të dhënave të tregtisë globale Kpler.
Në total, importi i naftës ruse në Indi ra me 420,000 fuçi naftë në ditë, siç raporton Business Insider.
Lëvizja po interpretohet si një goditje për Moskën, e cila varet nga eksportet e saj të naftës dhe industria e energjisë në përgjithësi, pasi ato përbëjnë rreth 30 për qind të të ardhurave buxhetore të vendit dhe financojnë luftën.