Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot kabinetin qeveritar dhe kryebashkiakët e majtë në Shkodër, ku do të bëhet një analizë e thelluar për punën e bërë. Takimi pritet të nisë rreth orës 10:00, ku fjalën e parë do ta mbajë kreu i qeverisë.
Pritet që të bëhet një analizë e thellë financiare, ku do të përfshihen edhe projektet e BE, shërbimet, si edhe burimet njerëzore.
Ndërkohë, në orën 12:00 është parashikuar një tryezë e hapur me anëtarë të kabinetit qeveritar, kryebashkiakë dhe drejtues të agjencive, mbi disa tema, si shëndetësia, bujqësia, arsimi, mjedisi, siguria, infrastruktura etj.
Në fund do të jepen edhe disa propozime për problematikat e paraqitura në këtë mbledhje, ndërsa takimi do mbyllet rreth orës 17:30 me fjalën e kryeministrit Rama.
Diskutimi do të jetë me dyer të mbyllura dhe i ndarë në disa panele, ku fokusi kryesor do të jetë angazhimi në terren i strukturave të socialistëve për rigjallërimin e bazës së partisë deri në garën e ardhshme elektorale në 2025-ën. Kryeministri pritet të bëjë edhe një vlerësim të punës së çdo bashkie.