MENU
klinika

Ndërpriten kërkimet

Rreth 1 muaj pas mbytjes, trupi i 40-vjeçarit ende s’është gjetur!

27.03.2024 - 12:34

Trupi i 40-vjeçarit, Aurel Ndoni i cili u mbyt në Porto Romano më 25 shkurt, ende nuk është gjetur nga shërbimet e Policisë Kufitare, ato të Policisë së Durrësit, polumbarët e RENEA-s dhe për këtë arsye tashmë kërkimet janë ndërprerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:15 të datës 25 shkurt, ku Ndoni ishte duke peshkuar bashkë me vëllain e tij dhe një person tjetër.

Gjatë peshkimit dyshohet se 40-vjeçari ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë, i cili është tërhequr nga rryma dhe nuk ka mundur të dalë nga deti.

Gjithashtu, një grup i posaçëm hetimor i ngritur për rastin, po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat, ku pista e hetimit është shtrirë edhe deri në ndonjë konflikt të mundshëm ose vrasje, por deri më tani asnjëra prej pistave nuk është konfirmuar.

Ndërkohë që gjetja e trupit do të bënte të mundur verifikime përkatëse për shenja të mundshme dhune ose jo, burimet pranë familjes bëjnë me dije se ata kanë paguar grup privat polumbarësh për të bërë të mundur gjetjen e trupit.