MENU
klinika

Ish-prokurorja rrëfen detajet

Sa ka kushtuar vrasja e Gentjan Bejtjas?

21.03.2024 - 11:05

Atentati ndaj Gentjan Bejtjas 5 ditë më parë në banesën e tij në Larushk të Fushë Krujës ka tronditur opinionin publik.

Për këtë atetntat ish-prokurorja, Elisabeta Imeraj shprehet se nga mënyra se si ka ndodhur ngjarja tregon që ka qenë e mirëorganizuar. Imeraj thekson se pistë e hetimit mund të jetë edhe marrja dijeni nga persona të afërt për lëvizjen e objektivit.

‘Pjesë e linjës së hetimit është edhe fakti se nga mund të ketë rrjedhur apo kush kanë qenë mundësitë e krijimit të burimit të informacionit. Megjithatë siç e theksova mënyra se si ka ndodhur e gjithë ngjarja është e tillë që është një mirëorganizim, çka do të thotë që subjektet e dyshuara kanë pasur mundësinë që ndoshta edhe kohë më parë të studiojnë lëvizjet e viktimës duke marrë informacion. Duke pasur parasysh këtë gjë të gjitha alternativat janë si pista të hetimit, duke përfshirë edhe faktin e marrjes dijeni nga persona të afërt apo shoqëria e tij. Ajo që është e mirëfolur është edhe fakti se sa e vështirë është për organet që të mundësojnë mbledhjen e informacionit nga ajo zonë dhe më pas përpunimin e këtyre informacioneve për të shkuar tek prova konkrete dhe nga ana tjetër, se sa është arritur në kohë dhe në vite, të mundësojë që edhe kjo zonë të jetë dhe të krijohet siguria publike.’, tha ish-prokurorja.

Ndër të tjera Imeraj thekson se nga mënyra se si ka ndodhur ngjarja na bën të mendojmë se autorët kanë pasur edhe një mbështetje të madhe ekonomike ku secili mund të ketë pasur rolin e vet. Ndërsa sa i përket pistës së vrasësve me pagesë, ish-prokurorja shprehet se nuk e beson shumë këtë pistë.

‘Ajo që është e dukshme është fakti që ka pasur një mirëorganizim në kohë dhe në mjetet teknike të përshtatshme, çfarë na bën ne të mendojmë që nuk kemi të bëjmë thjesht me autorë që marrin një veprimtari aty për aty dhe nuk kanë një organizim të mirëfilltë, por kanë edhe një mbështetje ekonomike, kanë edhe një mundësi për ta çuar më tej gjënë. Kjo na bën të mendojmë që është një organizim i mirëfilltë ku secili mund të ketë pasur rolin e vet. Nga ana tjetër mund të mendohet që është përdorur edhe pista e vrasësve me pagesë që në rastin konkret për shkak të mënyrës se si kanë ndodhur ngjarja i mëshoj më shumë pjesës së parë sesa pjesës së vrasësve me pagesë.’, tha  Imeraj për Klan News.