MENU
klinika

Rama: Projekti i dhëndrit të Trump, serioz

“Me Sazanin shkruajmë kartëvizitën e vendit në Mesdhe!”

23.03.2024 - 12:56

Kryeministri Edi Rama duket se është kthyer në fanatik të projektit të dhëndrit të Donald Trump në Sazan. Pasi e mbajti të fshehtë prej muajsh, tani kryeministri po e shet si gjënë më të madhe që po ndodh në turizmin shqiptar.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë një podkasti me disa të rinj sipërmarrës në fushën e turizmit, tha se Sazani është pika ku mund të shkruajmë në kartëvizitën e Shqipërisë dhe sipas tij, ngremë stekën në një nivel që disa vite më parë nuk mund të imagjinohej.

“Karaburuni është delikat shumë sepse është një pjesë që i shërben Vlorës si një sfond, peizazh i virgjër dhe nga biodiversiteti është goxha i pasur, mund të them që për sa më takon mua Sazani është pika ku ne mund të shkruajmë kartëvizitën e Shqipërisë, në mes të Mesdheut dhe mund t’u themi të gjithëve pa përjashtim, ‘të gjithë tigrat luanët e elefantët e industrisë së turizmit në botë. Italia ka 70% të trashëgimisë botërore, kthe sytë nga të duash ke arsye për të shkuar për turizëm. Me Sazanin, nëse bëjmë gjënë e duhur, vëmë kartëvizitën atje dhe themi “Ne jemi Shqipëria!’ dhe ngremë stekën në një nivel që disa vite më parë nuk mund të imagjinohej.

Kam dashur që në fillim, dhe jemi përpjekur, se kjo punë shkon me kontakte, me biseda, por po ju them një gjë që në 5 – 6 vitet e para mund të ulesha me njerëz të rëndësishëm, investitorë dhe u thosha investoni në turizmin në Shqipëri, e ndjeja se nuk thoshin jo, por kuptoja që kjo nuk ndodh. Duhet Shqipëria t’i bëjë të vijnë, nuk mund të vijnë këta se po i flas unë. I gjithë angazhimin me rilindjen urbane që e quanin këta fasada, fasada, filloi të hapte sytë… Sot bëhet nami”, tha ai.