MENU
klinika

Çfarë do ndodhë me aktoren

Sherri me Elia Zaharian/ Gjykata nxjerr Princ Lekën jashtë Pallatit Mbretëror

12.03.2024 - 11:09

Gjykata e Tiranës ka marrë një vendim si urdhërmbrojtje për ish-çiftin e bashkëshortëve Princ Leka dhe Elia Zaharia.

Në këtë urdhër është fiksuar fakti se Princi nuk duhet të qëndrojë në Pallatin e trashëguar, ndërkohë Elia nuk duhet të jetë në banesë në momentin që Leka do të takohet me princeshën e tij, trashëgimtaren e drejtpërdrejtë të Pallatit mbretëror! Urdhri ka hyrë në fuqi që më 7 mars, ndërkohë që ditën e djeshme Elia ka folur për mediat duke treguar edhe versionin e saj në lidhje me gjithçka ka ndodhur jo vetëm atë moment, por edhe më herët!

RRËFIMI

Aktorja Elia Zaharia ka folur në lidhje me situatën e dhunës në Pallatin Mbretëror, ku vetë ajo përplaset fizikisht me Princ Lekën, me pretendimin se ky i fundit i ka dhunuar babanë, Gjergj Zaharia.

Ajo ka folur në “Breaking”, “Top News”, ku është shprehur se kur pa babanë e saj teksa dhunohej dhunshëm nga ish-bashkëshorti i saj iu gris shpirti dhe ka reaguar pikërisht për të mbrojtur babanë e saj, i cili kishte 10 ditë që kujdesej për vajzën e vogël. Elia Zaharia bën me dije se me vajzën e saj jetojnë në shtëpinë familjare, të cilën Princ Leka e ka braktisur, sipas saj, deri në momentin që apartamenti që Leka i dha vajzës të ndërtohet.

“Të jesh e bindur që më panë sytë babin të sulmohej dhunshëm dhe m’u gris shpirti. Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e tij e prokuroria e gjykata i disponon të gjitha. T’i them këto, pasi është e rëndësishme që njerëzit që më mbështetën publikisht, duke marrë edhe koston e urrejtjes së partizanëve të palës tjetër, të dinë në thelb që po mbrojnë një njeri që ‘u hodh në fyt’ në mbrojtje të prindit. Asnjë çështje prone nuk ka në mes, çdo gjë është e përcaktuar.

As uzurpim nuk ka, unë me vajzën jetojmë në shtëpinë familjare të cilën ai e braktisi, e kjo deri sa apartamenti që i dha vajzës të ndërtohet! E gjitha kjo sipas kodit të familjes, ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës. Babai im kishte 10 ditë që kujdesej për mua e për vajzën se kam qenë me temperaturë e nuk kujdesesha dot. Çfarë nuk më kanë dëgjuar veshët këto ditë! Unë nuk kam as parti, as partizane që të dalin të më mbrojnë, kam vetëm të vërtetën time”, – deklaroi Elia.

NGJARJA

Ngjarja tronditëse dhe e paprecedentë në Pallatin Mbretëror ndodhi javën që lamë pas. Princ Leka dhe ishbashkëshortja e tij, Elia Zaharia, paditën njëri-tjetrin për dhunë. Situata u bë edhe më dramatike kur u publikuan edhe pamjet e dhunës brenda pallatit. Vetëm dy ditë pas përplasjes fizike (5 mars) mes Princ Lekës dhe Elia Zaharias, gjykata ka dhënë vendimin për të dyja palët. Gjykata Civile e Tiranës firmosi dy urdhërmbrojtje për Princ Lekën dhe ish-bashkëshorten Elia Zaharia, në proces divorci. Seanca u mbajt dje paradite ku ishte e pranishme edhe vetë Elia Zaharia dhe babai i saj. Ndërsa Leka Zogu ll nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i tij. Sipas informacioneve, gjykata nuk ka pajisur me urdhër babin e Elias, Gjergj Zaharinë. Çifti duhet të mbajnë distancë 5 m nga njëri-tjetri. Ndërkohë, Leka Zogu duhet të takojë vajzën e vogël jo në prezencë të Elias, por të dados. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas kallëzimit në polici për veprën penale “Dhunë në familje”. Gjithashtu, po kryhen hetimet për të zbuluar se kush e nxori videon në media.

DËSHMITË

“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën ‘Murat Toptani’, rezidenca e familjes mbretërore nr.6, Tiranë, për të takuar vajzën time të moshës 3- vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten, shtetasen Elia Zogu, jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me shefin e Administratës së Oborrit, shtetasin Syl Mulosmanaj, të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Me pas, unë i kam kërkuar Syles që të më shoqëronte deri te vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten. Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylen dhe kam gjetur vajzën time të vogël, Geraldina Zogu, e moshës 3 vjeç, e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit të saj, babit të ish-bashkëshortes, shtetasit Gjergj Zaharia.

Në këtë moment, unë kam përqafuar vajzën time dhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim, duke më thënë se ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke iu drejtuar Gjergjit që të mos më ofendojë e kërcënojë, sidomos në prani të vajzës dhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këto momente, situata ka agravuar. Shtetasi Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma te këmbët. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur dhe më ka grisur xhupin, si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, – ka dëshmuar Princ Leka.

Nga ana tjetër, Elia Zaharia pretendoi se Princ Leka ishte i dhunshëm, e kapi nga duart dhe tentoi ta godiste. Aktorja është shprehur se ajo dhe i ati, Gjergj Zaharia, janë vetëm mbrojtur. “Erdhi i agresuar dhe u bë i dhunshëm. Më ka kapur prej duarsh, më ka shtyrë dhe ka tentuar që të më godasë. Ne jemi vetëmbrojtur”, – ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, edhe babai i aktores ka hedhur poshtë pretendimet e Princ Lekës, duke deklaruar se ishte ky i fundit që e dhunoi. “Jam i moshuar. Me zor qëndroj në këmbë jo të sulmoj një djalë të ri”, – ka dëshmuar Gjergj Zaharia për Policinë. Në momentet që vetë Princi ka filmuar me celular, shfaqen pamjet kur Elia e qëllon dhe tërheq për xhakete, duke e akuzuar se ka qëlluar babanë e saj. Më pas, Elia e akuzon Princin se ka falsifikuar dokumentet e studimeve dhe se do e demaskonte. “I ke gjuajtur babit tim, të preksh ti me dorë babin tim. Do të të çoj në gjyq. Ti ke falsifikuar. I ke thënë shtetit shqiptar që ke shkollë, por në të vërtetë nuk ke. Ke vetëm 4 klasë shkollë”, – dëgjohet Elia Zaharia në video.

URDHRI I GJYKATËS

“Top Channel” ka siguruar urdhrin e plotë të gjykatës, që pajisi me urdhër mbrojtjeje Princin Leka II Zogu dhe Elia Zaharian, të cilët paditën njëri-tjetrin për dhunë.

Në dokumentin e Gjykatës theksohet që Princi mund t’i afrohet Pallatit Mbretëror, vetëm në rastet kur do të takojë vajzën e mitur. Pasi ka pranuar padinë e Elias, gjykata ka urdhëruar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për të:

Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune në familje ndaj paditëses Elia Zogu.

Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos i afrohet paditëses Elia Zogu, përtej një distance prej 5 metrash.

Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton paditësja Elia Zogu, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, me përjashtim të rasteve kur ka oraret e takimit me fëmijën e mitur, Geraldina Zogu.

I padituri Leka II Zogu ka të drejtë të takojë dhe të qëndrojë me fëmijën e mitur nga dita e hënë deri të premten, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 dhe ditën e shtunë dhe të diel nga ora 11:00 deri në orën 13:00, marrja dhe dorëzimi i fëmijës do të realizohet në prezencën e dados.

Gjykata ka pranuar padinë edhe nga Princ Leka dhe ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të:

Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune ndaj paditësit Leka II Zogu.

Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos cenojë, kërcënojë paditësin Leka II Zogu.

Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos i afrohet paditësit, banesës ku jeton paditësi Leka II Zogu, vendit të tij të punës apo vendeve të tjera që frekuenton, përtej një distance 5 metër. Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton, e cila ndodhet në adresën rruga ‘Murat Toptani’, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, gjatë orareve të takimit të paditësit Leka II Zogu me fëmijën e mitur Geraldina Zogu.

E paditura Elia Zogu deri në marrjen e vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, do të qëndrojë në banesën ku jeton aktualisht, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë. Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje i fillon efekte që nga data 7 mars 2024. Data e gjykimit për vërtetimin e këtij urdhri do të jetë në 21 mars, ora 14:00. Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga Zyra e Përmbarimit. Shkelja e këtij vendimi përbën vepër penale, sipas nenit 320 dhe 321 të Kodit Penal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Babai i Elias nuk e ka lejuar Lekën të takohet me vajzën..."

Skandali në familjen mbretërore/ Miku i Princit zbardh prapaskenat e sherrit

“NYP”: Sherri, dy muaj pas divorcit! Ja çfarë pretendojnë palët

Përplasja fizike mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë jehonë në mediat botërore