MENU
klinika

Detajet/ Pesioni minimal, 300 €?

Shqipëria drejt një reforme të re pensionesh, çfarë do ndryshojë?

20.03.2024 - 19:23

Pas 10 vitesh, reforma e skemës së pensioneve mund të ndryshohet për të gjendur një qasje, e cila të sheshojë diferencat e indeksimit vjetor të pensioneve. Ndryshimet janë në fazën e konsultimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar dhe po marrin në konsideratë ndryshimet demografike dhe efektet që do krijojnë në ecurinë e numrit të kontribuuesve dhe përfituesve në vijim. Në këtë reformë të madhe pensionesh pritet të ndryshohet mënyra e indeksimit të tyre që aktualisht bëhet sa inflacioni i produkteve të shportës si dhe po analizohet qasja e mes pensioneve urbane dhe rurale, apo kompensimi i energjisë apo vjetërsia në punë. Si një nga institucionet ndërkombëtare që po asiston institucionet vendase në përgatitjen e skemës së re, Banka Botërore thotë se rekomandimet e tyre do jenë tek sfidat demografike dhe politika për të nxitur pagesën e kontributeve. Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas shprehet se skema e re duhet të jetë e drejtë dhe të ketë qëndrueshmëri. “Sistemet duhet të vendosin një ekuilibër midis objektivave të rishpërndarjes dhe mbajtjes së nxitjes për të kontribuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të kujdesshme. Duke ecur përpara dhe duke u mbështetur në reformat e 2015-ës, do të jetë e dobishme të fokusohemi në përmirësimin e këtij aspekti të drejtësisë brenda të njëjtit brez dhe midis brezave, dhe ta bëjmë këtë pa përkeqësuar qëndrueshmërinë e sistemit”, tha Salinas për Report Tv.

Ndryshimet

Salinas shprehet se reforma e vitit 2015 duhet rishikuar, për disa arsye ku ndër më kryesoret është rënia e numrit të kontribuuesve, plakja e popullsisë, punësimi informal dhe rritja e emigrimit. “Tashmë ka kaluar rreth një dekadë nga reforma e fundit dhe ndërkohë Shqipëria është përballur me sfida globale, rajonale dhe specifike të vendit, të cilat kanë pasur implikime në sistemin e pensioneve. Banka Botërore në analizën që po i bën sistemit të pensioneve po vlerëson situatën aktuale dhe një sërë opsione reformash, si dhe kombinimin e tyre, duke marrë parasysh ndikimin në tregun e punës dhe përballueshmërinë. Analiza merr parasysh sfidat e reja demografike dhe social-ekonomike, por edhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria”, u shpreh Salinas. Numri relativisht i ulët i kontribuuesve në krahasim me totalin e të punësuarve që ka vendi, është problem që kërkon zgjidhje që sipas Salinas është i domosdoshëm edukimi i si i punonjësve po ashtu dhe i bizneseve për rëndësinë që kanë sigurimet. “Edukimi dhe komunikimi mbi pensionet është një fushë tjetër ku duhet fokusuar në mënyrë që individët të mund të vlerësojnë përfitimet e tyre dhe të kuptojnë se këto përfitime do të jenë më të larta sa më shumë vite kontribuojnë dhe sa më i lartë të jetë ky kontribut”, tha Salinas.

Pensioni minimal mund të jetë 300 €

Përveç kësaj, opozita ka depozituar gjithashtu dje në Kuvend një projektligj për të rritur pensionin minimal deri në masën 300 euro në vitin 2029. Përmes kësaj nisme, Bardhi thotë se synohet trajtimi dinjitoz i pensionistëve, si tregues i një shoqërie të emancipuar. “Ndërhyrja në ligj synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme me qëllim që në 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 300 euro. Qeveria shqiptare i ka mundësitë financiare në rast se shpenzimet nuk shkojnë për lukse zyrash e tenderë që pasurojnë oligarkët,” sqarohet në kërkesën e opozitës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria drejt një reforme të re pensionesh

Çfarë e sfidon skemën e pensioneve, sipas BB?