MENU
klinika

“Express”

Shqipëria, vendi i bukur plot me plazhe të pabesueshme

13.03.2024 - 11:29

Vija bregdetare e thyer, ujërat e kristalta bruz dhe çmimet e perballueshme e bëjnë këtë vend, destinacionin e përsosur për pushime, shkruan Alice Scarsi në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Pavarësisht nga vija e saj bregdetare prej 279 miljesh, e mbushur me plazhe me rërë të artë dhe pyje të bukur, Shqipëria mbetet një Perlë e Evropës, e cila deri para disa vitesh nuk njihej nga turistët si një destinacion pushimi.

Ata që e kanë zbuluar, shpesh e kanë krahasuar me “Maldivet e Evropës” falë ujërave jashtëzakonisht të pastra dhe vendpushimeve të qeta.

Riviera Shqiptare, me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, është më pak se tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe dhe kushton shumë më pak se një udhëtim në Azinë Jugore.

Në të vërtetë, ky destinacion është i përsosur për turistët me buxhet të limituar. Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë më pak se 100 paund në pikun e sezonit, ndërsa një vakt kushton mesatarisht 5 paund.

Ndërsa një krikëll birrë kushton rreth 1,10 paund, një gotë verë është pak më e shtrenjtë, mesatarisht 1,70 paund.

Shqipëria mbetet e përballueshme edhe kur bëhet fjalë për akomodimin, pasi dhomat buzë plazhit kushtojnë deri në 25 paund.

Në varësi të nevojave dhe preferencave të turistëve, ka zona të ndryshme për t’u eksploruar në vend.

Një nga perlat e Rivierës Shqiptare është Vlora, e cila ndodhet midis deteve Adriatik dhe Jon dhe ofron ujëra të pastër dhe plazhe të bukura me rërë.

Ky qytet ka gjithashtu një rëndësi të jashtëzakonshme historike, pasi është vendi ku Shqipëria shpalli pavarësinë e saj në vitin 1912.

Një tjetër destinacion i jashtëzakonshëm për turistët është Dhërmiu, një fshat ku ndodhet një nga plazhet më të njohura dhe më të gjata të Shqipërisë, me çadra të ndërtuara nga gjethet e palmës dhe shezlongët me pamje nga deti.

Ata që kanë nevojë të shkëputen nga plazhi mund të vizitojnë Kanionin mbresëlënës të Gjipesë, i cili ndodhet midis Dhërmiut dhe Vunoit dhe të çon në plazhin mahnitës të Gjipesë.

Më në jug ndodhet Ksamili, i cili po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj përmes promovimit të tij në median sociale, shumë prej të cilëve e kanë përshkruar atë si “Maldivet e Evropës”.

Plazhet si Pema e Thatë po shfaqen gjithnjë e më shumë në platformat ku shpërndahen videot, jo vetëm për bukuritë e tyre, por edhe falë kasolleve luksoze por edhe të lira të disponueshme me qira në plazh.