Detaje të reja dalin nga krimi i rëndë në Fier paraditen e sotme (11 mars) ku një 19-vjeçar u godit për vdekje me thikë.
Sherri mes tij dhe autorit të dyshuar Florjan Muka raportohet se ka nisur në rrjetet sociale.
Mësohet se ditën e sotme, rreth orës 11:30, viktima dhe autori i dyshuar i krimit janë përfshirë në një konflikt fizik dhe gjatë sherrit, 18-vjeçari ka nxjerrë thikën duke goditur për vdekje të riun.
Sipas dëshmitarëve konflikti dyshohet se ka nisur poshte urës së Gjanicës dhe 19-vjeçari me iniciale G. B., në përpjekje për të shpetuar ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës. Ai është transportuar me ambulancë drejt spitalit, por nuk i mbijetoi dot plagëve.
Gjithashtu i plagosur ka mbetur edhe shoku i viktimës, i cili mësohet se ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
20-vjeçari me iniciale O. S., iu është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori i dyshuar u arrestua pas krimit.
Viktima raportohet se punonte si kamarier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit të Fierit dhe njihej si djale i mirë dhe i sjellshëm. Ai ishte nxënës i shkollës profesionale “Petro Sota” ne degën TIK dhe ditën e sotme ka bërë vetëm dy orë mësim, duke braktisur orët e tjera të mësimit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.