MENU
klinika

Rezidentët në dy shtete të ndryshme tatohen dy herë

Si të shmanget tatimi i dyfishtë?

25.03.2024 - 20:00

Është hedhur për konsultim publik projektudhëzimi “Për zbatimin e marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimit të evazionit fiskal”.

Referuar këtij projektudhëzimi theksohet se marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë, lejojnë eliminimin e tatimit të dyfishtë duke përcaktuar se cili nga shtetet ka të drejtë të tatojë disa të ardhura të një entiteti apo personi fizik, ose duke e ndarë këtë të drejtë midis dy shteteve, por pa rënduar tatimpaguesit me tatim të dyfishtë.

Marrëveshje të tilla kanë si synim shmangien e evazionit fiskal nëpërmjet shkëmbimit të informacionit për të gjithë personat fizikë apo entitetet që ushtrojnë aktivitet në dyja shtetet.

Ndërkohë referuar dispozitave të marrëveshjeve synohet eliminimi i tatimit të dyfishtë duke përcaktuar se cili nga shtetet kontraktuese ka të drejtën për të tatuar apo të ndajnë këtë të drejtë ndërmjet të dyja shteteve, duke i akorduar njё tarifё tatimi tё reduktuar njёrit tatim, të cilin shteti tjetёr e njeh duke lejuar kreditimin e tij, apo duke e pёrjashtuar tё ardhurёn nga tatimi nё shtetin tjetёr.

Ndërsa sipas projektudhëzimit, parimi I rezidencës fokusohet tek tatimpaguesi I cili nëse konsiderohet resident në një shtet duhet të deklarojë dhe të tatohet në atë shtet për të ardhurat globale.

Por për atë individ i cili nuk është rezident për qëllime tatimore në Shqipëri, por që ka aktivitete me rezidentë tatimorë shqiptarë, sipas legjislacionit mund t’i lindin detyrime tatimore të pagueshme në Shqipëri.

Por kur mund të kemi tatim të dyfishtë?

Individët mund të tatohen kur kemi të njëjtat të ardhura të fituara nga i njëjti person, pra njëherë një vendin ku realizohen të ardhurat dhe njëherë në vendin ku tatimpaguesi ka rezidencën. Ndërkohë tatimi i dyfishtë do të mund të lind edhe në kushtet kur një person fizik konsiderohet resident në të dy shtetet dhe I nënshtrohet detyrimit të plotë tatimor në të dyja shtetet.