MENU
klinika

Brigitte Garcia dhe këshilltari i saj u qëlluan nga brenda mjetit

Si u gjurmua vendndodhja e kryebashkiakes së Ekuadorit që u gjet e vdekur

25.03.2024 - 11:16

Kryebashkiakja më e re e Ekuadorit dhe këshilltari i saj u gjetën të vdekur brenda një automjeti në provincën Manabi.

Brigitte Garcia, 27-vjeçe dhe këshilltari Jairo Loor mësohet se janë qëlluar me armë zjarri nga brenda makinës, që ishte marrë me qira.

Automjeti në të cilin ndodheshin Garcia dhe Loor ishte marrë me qira dhe kishte një sistem GPS brenda që po gjurmohej.

Garcia, një anëtare e partisë së majtë të Lëvizjes së Revolucionit Qytetar të ish-presidentit Rafael Correa, është figura e fundit politike e vrarë në Ekuador.

Kandidati për president Fernando Villavicencio u vra gushtin e kaluar teksa po largohej nga një fushatë elektroale dy javë para zgjedhjeve. Ai ishte një kritik i zëshëm i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në korrik 2023, kryebashkiaku i Manta, Agustin Intriago u vra teksa vizitonte një kantier ndërtimi.

Vitin e kaluar Brigitte Garcia u bë kryebashkiaja më e re e vendit duke fituar zgjedhejt në San Vicentes.

“Jam i shkatërruar,” shkroi ish-presidenti ekuadorian Rafael Correa në një postim në Platformën X për vrasjen e Brigitte Garcia.

Brigitte Garcia2

Zbulimi i trupave të pajetë u bë në një plazh të njohur si Punta Napo. Krimi raportohet se është kryer pas mesnate.

Sipas Policisë, familjarët e kryebashkiakes nuk kishin marrë asnjë lajm prej saj që nga mesdita e së shtunës, 23 mars dhe denoncuan zhdukjen e saj në polici.

Familja e 27-vjeçares kishin dijeni që ajo ishte në një automjet të marrë me qira, ndaj kërkuan personin që zotëronte makinën dhe e gjetën përmes GPS-it të mjetit.

Sipas hetimeve të para, kryebashkiakja u qëllua me tre plumba ndërsa këshilltari i saj dy herë. Hipoteza e policisë është se vrasësi ndodhej brenda mjetit që ishte marrë me qira një muaj më parë dhe ka qëlluar nga brenda makinës. Deri më tani asnjë person nuk është arrestuar për këtë vrasje.

Brigitte García, me profesion infermiere, ishte 26 vjeçe kur fitoi zgjedhjet sektoriale në 2023 për partinë politike Revolucioni Qytetar. Me 35% të votave ajo u bë kryetarja më e re në vend. San Vicente është një qytet i vogël me një listë të gjatë nevojash bazë si uji i pijshëm. I vendosur në breg të detit, aty jetojnë afro 25.000 banorë, të cilët janë të përkushtuar ndaj peshkimit, turizmit dhe tregtisë.

Kantoni është pjesë e provincës Manabí, një nga zonat më të prekura nga nivelet e larta të krimit. Vendndodhja e saj është strategjike për trafikun ndërkombëtar të drogës për shkak të daljes së saj në Paqësor.