Nëse ukrainasit kanë fundosur me të vërtetë dy anije të tjera amfibe ruse të klasës Ropusha, kjo përfaqëson një goditje serioze për flotën ruse të Detit të Zi, e cila është tërhequr kryesisht nga Krimea muajt e fundit.
Anton Gerashchenko, një këshilltar i qeverisë ukrainase, njoftoi dje se bombardimi i anijeve zbarkuese Jamal dhe Azov u krye me sukses dhe se qendra e komunikimit dhe disa ndërtesa ushtarake në Krime u goditën gjithashtu.
Muajin e kaluar, burime ukrainase njoftuan tërheqjen e pothuajse të gjitha anijeve të rëndësishme ruse nga Flota e Detit të Zi. Sipas të dhënave nga imazhet satelitore të analizuara nga kanali pro-ukrainas i Krimesë Wind, shumica e anijeve janë të fshehura në Novorossiysk, një qytet afër bregut të Krimesë.
Për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga forcat ukrainase ndaj objektivave ushtarake ruse në Krime, u njoftua në tetor se Rusia mund të krijojë një bazë të re të Flotës së Detit të Zi në Abkhazi, një provincë e shkëputur brenda Gjeorgjisë.
Në fakt, për dallim nga situata në tokë, forcat ruse në Krime, e cila u aneksua në vitin 2014, janë shtrirë shumë dhe disa burime perëndimore pohojnë se “Rusia e ka humbur luftën për Detin e Zi”. Krimea dhe baza e Sevastopolit atje, përveç kontrollit të Detit të Zi, supozohej se do të shërbenin si një trampolinë për kapjen e bregdetit jugor të Ukrainës, përfshirë Odesën.
Megjithatë, forcat ukrainase kanë treguar se Kievi është serioz kur thotë se nuk heq dorë nga kthimi i Krimesë nën kontrollin e saj.
Përveç anijeve, forcat ukrainase sulmuan edhe bazën ajrore Belbek. Pista ajrore ruse është sulmuar prej muajsh dhe pala ukrainase i përshkruan këto sulme si “stërvitje taktike kundër pushtuesve të Krimesë”.