MENU
klinika

Si mund të përfitohet

Skema e rritjes së pensionit/ Kushtet dhe sa është shtesa

12.03.2024 - 11:38

Vetëm duke shtyrë kohën e daljes në pension, pensionistët mund të përfitojnë 6 për qind shtesë mbi masën e përfitimit. Kjo, pasi çdo vit pune, pas pragut 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 8 muaj për gratë, çon në rritjen e pensionit. Skema në fuqi përcakton që shtesa të jetë me 0.5 për qind në muaj ose 6 për qind në vit, me përjashtim të rasteve kur pensionistët zgjedhin që në të njëjtën kohë të marrin edhe pagën, edhe pensionin. Ndërkohë që në asnjë rast ata nuk janë të zhveshur nga detyrimi për të derdhur kontributet si çdo i punësuar tjetër. Eksperti fiskal Ramadan Kondi thotë se janë rreth 200 mijë persona të cilët edhe pse kanë mbushur moshën e daljes në pension, vijojnë që të jenë pjesë e tregut të punës. Kondi thotë kjo skemë duhet të rishikohet, duke ju dhënë mundësinë pensionistëve që të marrin krahas pensionit dhe pagës dhe një shtesë për të nxitur në këtë mënyrë edhe formalizimin e tyre. Derdhja e kontributeve nga ana e pensionistëve që vijojnë të jenë pjesë e tregut të punës ka qenë herë pas herë objekt diskutimi, por çdo nismë e ndërmarrë ka mbetur sirtarëve pa mundur të zyrtarizohet. E fundit ishte në 2018, ku përmes një drafti për disa ndryshime në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, të hedhur për konsultim, propozohej që pensionistët të përfitonin në të njëjtën kohë edhe pagën, edhe pensionin, ndërsa në momentin që shkëputej kontrata, të aplikohej një shtesë me 2.4 për qind për çdo vit pune, të kryer pasi ishte mbushur mosha e daljes në pension. Përmes kësaj skeme, justifikohej deri diku pagesa kontributeve. Por ky draft, edhe pse u mirëprit nga ekspertët, nuk kaloi për miratim.

Po përgatitet skemë e re

Me gjithë këto problematika, qeveria po përgatitet për ndryshime kryesore në skemën e pensioneve që janë në fazën e konsultimit. Së pari po punohet për një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta. Aktualisht indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të pensionisteve. Vitin e kaluar u aplikua 8.6 %, por e përkthyer në vlerë përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. Psh një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionit paguhet me 30 mijë lekë në muaj përfitoi një shtesë 2,560 lekë ose tre herë më të lartë. E dyta kë të bëjë me ndërhyrjen në vendosjen e limiteve për përfitimet në skemat suplementare, pasi rritja e tyre me ritmet aktuale parashikohet të rëndojë më shumë skemën në afat të gjatë. Psh në të ardhmen dalja në pension e punonjësve të sistemit të drejtësie mund t’i kushtojë skemës publike të pensioneve. Aktualisht skema publike e pensioneve është nën presionin e rritjes së numrit të përfituesve për shkak se këtë dekadë del në pension brezi i bumit të lindjeve në vitet 1970, dhe nga ana tjetër numri i kontribuuesve do të maturohet prej rënies së grup -moshave të reja të popullsisë nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë. Teksa pagat janë rritur në sektorin publik dhe privat, duke u bërë edhe shkak për rritjen e mëtejshëm të çmimet, të ardhurat e pensionistëve jo vetëm që nuk u rriten, por ato u bënë viktimat kryesorë të inflacionit. Në vitin 2018 pensioni mesatar ishte sa 31 për qind e pagës mesatare bruto, ndërsa në 6 mujorin e parë 2023 ky raport arriti në 25%. Përqindja e personave që nuk plotësojnë kriteret për pagesë të plotë po rritet me shpejtësi nga viti në vit. Në qershor 2023 pensionistët me pagesë të pjesshme përbënin 50% të totalit të pensioneve të pleqërisë nga 45% me 2021. Ndërsa pensionet e reja që u lidhen me 2023 ishin 11% më të ulëta se pensioni mesatar. Pensionet e pleqërisë janë 50 % me të ulëta se mesatarja Rajonale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



BSH: Vrulli i shtrenjtimeve ka ndalur

Kur do ulen çmimet e apartamenteve?

328 mln euro të ardhura më shumë se shpenzimet

Paketë e re mbështetjeje për shtresat në nevojë?

Një problem shqetësues po shfaqet në gjithë Europën)

Korrupsioni, Kosova shumë më mirë se Serbia dhe Shqipëria