Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi.
Burime të Panorama.al bëjnë të ditur se SPAK ka sekuestruar edhe celularët e disa prej vartësve të tij.
Po ashtu mësohet se SPAK po heton kreun e Tatimeve, Ceno Klosi pas dy kallëzimeve te Gazmend Bardhit të regjistruar në korrik dhe dhjetor 2023.
Dy kallëzimet ndaj Ceno Klosit janë bashkuar në një procedim të vetëm.
Ndërkohë në kuadër të hetimeve, celularët e sekuestruar do të ekspertohen dhe do të shihen të gjitha komunikimet, ku në fokus do të jenë të gjithë bisedat që vartësit mund të kenë zhvilluar me kreun e Tatimeve, Ceno Klosi.
Po ashtu SPAK ka shkuar edhe tek Drejtoria e Përgjithshëm e Tatimeve, ku ka sekuestruar dokumente që lidhen me vendimmarrjet e Ceno Klosi.
Hetimi
Zyrtari i lartë i Tatimeve, Ceno Klosi po hetohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”.
Prokuroria e Posaçme konfirmoi përmes një shkrese zyrtare për “News 24” se hetimet ndaj kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.
“Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimi e dy procedimeve në një të vetëm.
Klosi, i cili në krye të tatimeve, iu bindet me shumë urdhrave politikë, sesa ligjit, duke ndëshkuar padrejtësisht bizneset, ka punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE. Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/10/2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.