MENU
klinika

Takimi tjetër javën e ardhshme

Takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, s’ka marrëveshje për dinarin!

25.03.2024 - 18:18

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë, i iniciuar nga Miroslav Lajçak në Bruksel.

Të dërguarit e Kosovës dhe Serbisë, Bislimi dhe Petkoviç, nuk ka rënë dakord për çështjen e dinarit serb. Ndërkohë që është njoftuar se një takim tjetër do të mbahet javën e ardhshme me të njëjtën temë.

Kësaj radhe nuk ka patur takime të ndara meqë tema është e njëjtë sikur javën e kaluar kur u zhvilluan takimet e ndara.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviç, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.

“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo. Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.

Por, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.

“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviç.