MENU
klinika

Shifrat

Turizmi, italianët dhe polakët nuk iu ndanë Shqipërisë as në dimër

22.03.2024 - 11:45

Italianët dhe polakët kanë vijuar të kenë interes për Shqipërinë edhe gjatë muajve të dimrit.

Të dhënat zyrtare të statistikave të turizmit, që ndalen te shtetet nga kanë ardhur vizitorët në muajin janar, tregojnë se numri i turistëve italianë është rritur me të paktën 50% në janar 2024 krahasuar me janar 2023 ndërkohë që numri i turistëve polakë ka shënuar rritje me të paktën katër herë.

Këta të fundit prej vitesh janë grupi më i konsoliduar i turizmit të organizuar që zhvillohet në vend kryesisht në Golem, Durrës gjatë muajve të verës duket se po e shohin Shqipërinë si një destinacion interesant edhe në dimrit.

Në total, shifra zyrtare e atyre që cilësohen si turistë sipas publikimit të Ministrisë së Turizmit dhe mjedisit është 469 mijë.

“Referuar qëllimit që deklarojnë shtetasit e huaj, që vizitojnë Shqipërinë, rezulton se gjatë muajit të parë të vitit kanë hyrë 469,543 “turistë”, që janë vizitorët që shpenzojnë më shumë se një natë brenda territorit Shqiptar. Siç vihet re kemi një ulje për vizitorët që vijnë për qëllime shëndetësore dhe fetare” nënvizon publikimi.

Ajo që bie në sy nga shifrat është rritja e numrit të turistëve edhe nga vendet fqinje kryesisht ai që njihet si turizëm patriotik. Konkretisht nga Kosova në janar 2024 kanë hyrë rreth 216 mijë shtetas me një rritje prej rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga Maqedonia e Veriut, në janar kanë hyrë në vendin tonë 47.4 mijë shtetas me një rritje prej 9% në raport me janarin e vitit 2023 ndërkohë që edhe nga Mali i Zi ka një rritje të hyrjeve me të paktën 32.6%.

Rritja që vjen nga Italia por edhe nga Greqia pavarësisht se mund të cilësohet si kontribut i turizmit në fakt lidhet më shumë me komunitetin e madh të emigrantëve shqiptarë në këto dy vende fqinje dhe që disponojnë dokumente të vendeve fqinje. Nga Greqia numri i vizitorëve ishte 38.7 mijë turistë me një rritje prej 10%.

2024-a pritet të jetë një tjetër vit i mirë turistik për Shqipërinë, ku operatorët turistikë kanë pritshmëri se do të vijojmë me një shifër tjetër rekord për nga numri i vizitorëve.

Interesi për vendin tonë shihet qartazi edhe nga shitja e paketave nga agjencitë e turizmit të organizuar ku deri në shkurt ishin shitur të paktën 60% e tyre./Monitor