Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi akuzohen se vidhnin dhe më pas shisnin vepra arti.
53 vjeçari Pëllumb Leka, banues në Fier dhe 56 vjeçari Emanuel Çaço banues në Lushnjë u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke lëvizur me një automjet, ku u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.
Pëllumb Leka, duke përfituar nga fakti se ishtë i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si roje dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër dhe më pas në bashkëpunim me Emanuel Çaço, i trafikonin me qëllim përfitimin.
Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro. Policia vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore për një rast të vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit nga parqet arkeologjike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “IKONAT”.
Si rezultat u arrestuan shtetasit: P. L., 53 vjeç, banues në Fier dhe E. Ç., 56 vjeç, banues në Lushnjë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet në të cilin gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe kulturës. Shtetasi P. L., duke përfituar nga fakti se ishtë i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., i trafikonin me qëllim përfitimin.
Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro”, njoftoi policia.