Një ditë pas ngjarjes së rëndë në qytetin e Fierit, ku mbeti i vrarë me thikë 19-vjeçari, Grei Bihuci policia ka arrestuar edhe autorin e dytë të krimit.
Në pranga ka rënë një 17-vjeçar, Klajdi Muka si bashkëpunëtor, ndersa nje dite me pare u arrestua Florjan Muka 18 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin.
Sipas hetimeve, dyshohet se dy adoleshentët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), Grei Bihucin 20-vjeç dhe plagosur O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes”, thotë policia.
Njoftimi:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja?
Një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës. Grei Bihuci, 19 vjeç humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta. Ai u godit me thikë në qendër të Fierit nga 18-vjeçari Florjan Muka, i cili u arrestua nga policia.
19-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi. Gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në shkollë dhe ka bërë vetëm dy orë, duke lënë orët e tjera të mësimit.
Vetëm një orë më pas u shënua krimi tronditës që kthen edhe njëherë në vëmendje dhunën mes adoleshentëve.
Autori i dyshuar Florjan Muka ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ka ndërhyrë shoku i tij i cili e shoqëronte.
Burimet nga spitali bëjnë me dije se 20- vjeçari ka hyrë në sallën e kirurgjisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se sherri ka nisur për shkak të ngacmimeve në rrjetet sociale, ndërkohë mësohet se 19-vjeçari që ka ndërruar jetë, pasdite punonte kamerier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.
Sipas dëshmitarëve, konflikti mund të ketë nisur poshtë urës Gjanica në bulevardin “Jakov Xoxa” dhe në përpjekje për të shpëtuar 19-vjeçari ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.