Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka pranuar kërkesën e ish-efektivit të Gardës, Arbër Paplekaj, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës në lidhje me vrasjen e ish-zyrtarit në Elbasan, Pjerin Xhuvani.
Me këtë vendim, Gjykata rihap pjesërisht shqyrtimin gjyqësor ndaj Paplekajt. Gjithashtu, Apeli ka vendosur të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje, raporton News24.
Gjithashtu, do të kërkohet informacion në lidhje me hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë qe qëlluan në vendngjarje. Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, duke e dënuar me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Seanca e radhës është caktuar më 18 mars në orën 13:30.
DENIMET
Gjykata e Elbasanit dënoi me 22 vite burg ish-policin Arbër Paplekaj, për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani.
Me nga 1 vit shërbim prove gjykata dënoi dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Ndërsa 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu u dënuan me nga 16 muaj shërbim prove.