Mbledhja e Këshillit Kombëtar që do të zhvillohet pasditen e së martës, do të sjellë ndryshime të rëndësishme, që nga kupola e lartë drejtuese e partisë deri në strukturat më të ulëta.
Gazment Bardhi që prej ditës së nesërme do të jetë nënkryetar i partisë së bashku me Agron Gjekmarkajn, për shkak të pozicionit që mbajnë kryetar grupi dhe nënkryetar Kuvendi.
Në strukturën drejtuese do të përfshihen dhe nënkryetari i grupit, Ervin Salianji dhe kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare në Kuvend, Jorida Tabaku e Zheni Gjergji, Dhurata Çupi, Tomorr Alizoti dhe Ferdinand Xhaferraj.
Deri më tani, ende është i paqartë pozicionimi i Tabakut, nëse do të pranojë ose jo të jetë pjesë e kryesisë së PD-së së drejtuar nga Berisha.
Ata nuk do të votohen as në Kryesi dhe as në Këshillin Kombëtar, por do të bëhen pjesë e strukturave për shkak të pozicioneve që mbajnë në grup dhe Kuvend.
Në kuadër të ndryshimeve statutore, nenet që preken janë ai 51, që përcaktohen se PD ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar.
Neni tjetër që ndryshon është edhe ai 47, për përbërjen e kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve.
Ditën e nesërme, një orë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, do të mblidhet kryesia e Partisë, ku do t’i propozohen ndryshimet statutore, që më pas do i kalojnë për miratim Këshillit.
Ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike të Rithemelimit:
Neni 51
Nënkryetarët e Partisë
1. PDSH ka dy nënkryetarë (Katër nënkryetarë) të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të këtij Statuti.
2. Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit Parlamentar.
Neni 47
Kryesia e Partisë
1. Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Dy nënkryetarët e Partisë, (Katër nënkryetarët e Partisë);
c) Sekretari i Përgjithshëm;
d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;
e) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, sipas një liste të miratuar në Kryesinë e partisë me propozim të Kryetarit të Partisë ose kandidaturave të mbështetura nga jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Jo më pak se 30% e anëtarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.
2. Anëtari i Kryesisë nuk mund të mbajë mandat tjetër përveç atyre të parashikuar në gërmat a), b), c) dhe d) të pikës 1 të këtij neni.
(Shtohet pika që anëtarë kryesie janë kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare)
Anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit:
1. Gazment Bardhi – Kryetar i Grupit Parlamentar
2. Ervin Salianji – Nënkryetar i Grupit Parlamentar
3. Agron Gjekmarkaj – Nënkryetar i Kuvendit
4. Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë)
5. Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë)
6. Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin)
7. Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme)
8. Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare)
9. Jorida Tabaku – (Kryetare, Komisioni për Çështjet Evropiane)