“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Jam 26 vjeç dhe kam rreth dy javë që zgjohem me sëmbim në kraharor. Jam shumë e shqetësuar. Çfarë mund të më thoni?
Përgjigjet mjekja e përgjithshme: Dhimbjet e gjoksit mund të shkaktohen nga probleme të ndryshme, edhe pse shumë njerëz mendojnë se dhimbja në gjoks vjen vetëm prej problemeve të zemrës. Dhimbja në gjoks mund të lindë si rezultat i problemeve të ndonjë prej strukturave vendosura në zonën ndërmjet qafës dhe pjesës së sipërme të barkut. Disa shkaqe të dhimbjeve të kraharorit përbëjnë emergjenca mjekësore, prandaj duhet të vlerësohen menjëherë nga profesionistët. Krah problemeve me zemrën vlen të përmendim: problemet me shtyllën kurrizore (sidomos pjesa e qafës dhe kraharorit); sëmundjet tjera reumatike, lëndimet, ndezjet ose tërheqjet e tepërta të muskujve ndërbrinjor (muskujve të gjoksit), lëndimet dhe thyerjet e brinjëv; pezmatimet e kërceve të brinjëve në vendet e ngjitjes së tyre me sternumin (parzmoren) që në terminologjinë mjekësore njihet si kostokondrit; pastaj herpes zoster si një infeksion i rrallë viral që prek nervat ndërbrinjor, por edhe çrregullimet e ndryshme të sferës psikike si p.sh. neurozat e ndryshme, ankthi, ataqet e panikut etj, mund të manifestohen me dhimbje gjoksi, duke e bërë jo aq të lehtë diferencimin diagnostik të kësaj simptome mjaft të shpeshtë në praktikën mjekësore.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.