Ndihmës Sekretari amerikan, Tod Robinson ka paralajmëruar se SHBA do të shpallë të tjerë zyrtarë të korruptuar non grata.
Ai shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdorin të gjitha mjetet si shpallja ‘non grata’ dhe sanksionet e vizave për t’u siguruar që zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar.
“Do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për t’iu vënë pas aktorëve të korruptuar dhe për të ndihmuar institucionet shqiptare që t’i vihen pas aktorëve të korruptuar. Kemi një numër mjetesh dhe shpalljet non-grata dhe sanksionet e vizave janë mes tyre, dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato sepse janë mënyra të efektshme për t’u siguruar që ata zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar dhe të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion do të vihen në punë kundër atyre aktorëve të korruptuar” tha zyrtari i lartë amerikan në një intervistë për Top Channel.
Robinson thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet DEA-s dhe FBI-së po ndihmojnë SPAK në kapjen e të korruptuarve.
“Mesazhi i fundit është se qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndihmojmë – kemi një ekip të shkëlqyer këtu. DEA është këtu. Departamenti i Drejtësisë është këtu. FBI është këtu. Po bëjmë punë të madhe me sistemin e burgjeve. Dhe synojmë ta vazhdojmë atë punë sepse është e rëndësishme për marrëdhënien Shtetet e Bashkuara – Shqipëri. Por më shumë sepse është rëndësishme që shqiptarët e zakonshëm ta shohin të bëhet kjo punë dhe të shohin që po mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Robinson.