MENU
klinika

Asnjë përfitim nga zyrtarët e lartë

Amnistia, çfarë parashikon, kush përfiton e ç’ka ndryshuar me amendimet e opozitës?

04.04.2024 - 18:05

Mijëra të burgosur apo në proces gjykimi prej muajsh kanë qenë më sytë nga Kuvendi, për të përfituar nga amnistia penale, ndërsa nevoja për 84 vota në parlament për ta miratuar e ka mbajtur peng, kjo edhe për shkak të konceptimeve të ndryshme dhe kërkesave konkrete të palëve se kush duhet e kush jo.

Kush përfiton nga amnistia?

Po çfarë parashikon amnistia dhe cilat kanë qenë ndryshimet e deritanishme. Përmes kësaj amnistie, përfitojnë falja totale të dënimit burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në 5 vite dënim. Masa e dënimit është rritur pas propozimeve të mëvonshme, pasi varianti fillestar parashikonte falje 3 vite për burrat dhe 4 vite për gratë. Sipas kritereve të përcaktuara në draft përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në 4 vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur 5 vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative.

Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç. Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale, ose nën këtë moshë.

LIROHEN (me përjashtim të veprave të ndaluara)

BURRAT ME DËNIM DERI NË 4 VJET (Dënimet të jenë dhënë deri më 31 mars 2024)
BURRA të dënuar ME MBI 4 VJET (që u ka mbetur deri në 4 vjet pa kryer)
GRATË ME DËNIM DERI NË 5 VJET
GRATË ME dënim MBI 5 VJET (që u ka mbetur pa shlyer deri në 4 vjet)
GRATË që janë 50 ose mbi 50 vjeç kur amnistia hyn në fuqi
BURRAT që janë 60 ose mbi 60 kur amnistia hyn në fuqi
LIROHEN (me përjashtim të veprave të ndaluara) personat që kur kanë bërë veprën penale kanë qenë 18 vjec ose nën mbi 18 vjeç
Kush përjashtohet nga amnistia?
Sigurisht nuk përfitojnë falje të dënimit përqindja më e madhe e veprave penale, që përfshin ato më të rëndat që nisin që nga krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime kundër autoritetit të shtetit ku përfshihet edhe korrupsioni, terrorizmi dhe shumë e shumë kategori veprash penale, mbi 240 të tilla. Nuk përfitojnë amnisti, as falje e ulje të dënimit dhe as përjashtim nga ndjekja penale të atyre që i janë shmangur drejtësisë. Personat që i shmangen drejtësisë, ata që janë arratisur, që kanë dijeni për procesin apo masat ndaj tyre apo vendimet e formës së prerë, dhe i shmangen me vullnet të lirë

VEPRAT KRYESORE PËR TË CILAT NUK PËRFITON NGA FALJA E DËNIMIT

· Krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, të kryera me dashje,
· Vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit,
· Krime seksuale,
· Vepra penale kundër lirisë së personit,
· Kundër moralit dhe dinjitetit,
· Kundër fëmijëve, martesës dhe familjes,
· Kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, kundër falsifikimit të dokumenteve, që Cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve,
· Kundër mjedisit,
· Kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues,
· Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera,
· Vepra me qëllime terroriste, kundër autoritetit të shtetit, kundër drejtësisë, që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale
Ulja e dënimit
Ndërkohë, kategoria tjetër e të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, domethënë falja totale e tyre edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e saj (pra masën e dënimit të dhënë apo të mbetur, apo kriterin moshor për përfitimin e amnistisë) dhe nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kufizimeve të përcaktuara (nenet me krimet përjashtuese) u zbritet dënimi me 2 vite nëse janë gra dhe të mitur, ndërsa 1 vit e gjysmë ulje do aplikohet në këto raste për të dënuarit burra. Socialistët kishin miratuar në Komisionin e Ligjeve 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit dhe 1 vit për burrat, ndërsa propozimi për rritje me 6 muaj për të dy kategoritë u bë nga Gazment Bardhi si kryetar i grupit parlamentar të PD.

VEPRAT QË NUK PËRFITOJNË ULJE TË DËNIMIT
· Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
· Vrasja e funksionarëve publikë
· Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit
· Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare
· Të dënuarit me burgim të përjetshëm
· Të dënuarit nga GJKKO (sipas propozimet të opozitës)
Amnistia nga ndjekja penale

Përmes amnistisë, përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri më 30 qershor 2023 që kanë dënim maksimal deri në 2 vjet, edhe këtu me përjashtime disa nene të rëndësishme.

Çfarë i ndan palët?

Për cilat janë nenet që i kanë ndarë deri më tani palët dhe krijoi ngërçin për mosmiratimin e amnistisë deri tani? Ndarja më e rëndësishme është një ndryshim i miratuar nga socialistët në Komisionin e Ligjeve. Në nenin 5 i emërtuar “Kriteret për përfitimin e amnistisë nga zbritja e dënimit” në draftin e parë parashikoj që të mos përfitonin asnjë ulje dënimi të gjithë të dënuarit përjetë, të dënuarit për vrasje dhe të dënuarit nga gjykata e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pikërisht këta të fundit, subjektet e SPAK dhe GJKKO u hoqën në variantin e Komisionit të Ligjeve.

Opozita e kundërshtoi ashpër duke e cilësuar si lirim të zyrtarëve të korruptuar, ndërsa në fakt nuk bëhet fjalë për falje apo amnisti nga ndjekja penale për ata që janë në proces por vetëm për ulje të dënimit për të gjithë të dënuarit nga GJKKO.

Pikërisht nga këto përplasje kanë ardhur edhe amendamentet e dy grupeve të Partisë Demokratike, përmes Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeaj. Grupo Bardhit kërkon amendimin e nenit 5, shtimin e pikës c me përmbajtjen që përjashtohen nga ulja e dënimit “personat dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të shkronjave ‘b’, ‘c’ dhe ‘ç’ të neni 75 të Kodit të Procedurës Penale”. Me këtë nën përjashtimin nga ulja e dënimit të gjithë ata zyrtarë të lartë dhe krim i organizuar, që janë subjekte të GJKKO, por nuk përjashton totalisht ata të dënuar zyrtarë të vegjel, që janë dënuar për korrupsion. Pra zyrtarët e lartë dhe krimi i organizuar sipas propozimit të Bardhit përjashtohen nga ulja e dënimit, ndërsa zyrtarë të vegjël apo të tjerë të dënuar për korrupsion dhe disa vepra të tjera penale përfitojnë. Përjashtim total të të gjithë subjekteve të SPAK dhe GJKKO propozoi Enkelejd Alibeaj, i cili kërkon si shtesë në nenin 5 të Amnistisë të gjithë nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale, që përfshin edhe pikën a me veprat penale që heton SPAK.

Grupi i Bardhit ka propozuar gjithashtu edhe një amendament të veçantë në nenin 3 të Amnistisë, që përjashton nga përfitimi i faljes së dënimit totalisht subjektet e SPAK si zyrtarë të lartë apo krim të organizuar për çfarëdolloj vepre penale qoftë.

Të njëjtin grup, të gjithë zyrtarët e lartë dhe krim i organizuar si subjekte të SPAK e GJKKO Bardhi propozon që të përjashtohen edhe nga ndjekja penale që ende nuk kanë marrë një dënim, dhe që vepra penale parashikon dënim deri në 2 vite. Këtu ka vetëm një shtesë nga opozita, që bën fjalë për pikën b të nenit që bën fjalë për grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, dhe organizata terroriste dhe banda e armatosur që në variantin e miratuar nga socialistët në Komisionin e Ligjeve ishin përcaktuar si përfitues. Bardhi gjithashtu shton si jo përfitues nga ndjekja penale të gjithë zyrtarët që kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë, pra edhe zyrtarët e vegjël, që në nenin për uljen e dënimit janë përfitues. Socialistët i përjashtonin subjekteve e deklarimit të pasurisë nga ndjekja penale, ndërsa nuk përfitonin nëse kanë kryer një krim që lidhet me deklarimin e pasurisë dhe kanë lidhje me ushtrimin e detyrës apo me të qenit subjekt deklarues.

Çështja e fundit që opozita e kishte si kërkesë ishte falja totale e të gjithë protestuesve të opozitës të dënuar apo në proces dënimi dhe gjykimi. Edhe këtu Bardhi dhe Alibeaj janë në unison në propozim, duke propozuar që të falën edhe protestuesit e dhunshëm, që më parë socialistët e kanë kundërshtuar./shqiptarja.com

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"S’mund të mbahemi peng për pazare politike"

Të burgosurit, peticion për miratimin e Amnistisë Penale

Ministrja nuk jep afat për vitin e ardhshëm

Amnistia fiskale, rishikim i draftit pas kritikave të BE!