Vijojnë debatet në komisionin e Shëndetësisë, teksa anëtari i mazhorancës, Ilir Metaj, i është përgjigjur me ironi kryetares Albana Vokshi.
Ai u shpreh se nuk mund të pranojnë rolin e statistikës të shkruar në skenarin e opozitës, duke shtuar se nuk ndodhen në “Albana Vokshi Func Club”, por në Komisionin e Shëndetësisë.
“Ju mund të doni që koha e këtij komisioni të mos ketë opinionet tona dhe të mbushet me zhurmën e zërit tuaj të artikuluar por nuk funksionon kështu komisioni hetimor”, tha deputeti.
Pjesë nga diskutimi:
Ilir Metaj: Jemi në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë dhe jo në “Albana Vokshi Fun Club”, kështu që të paktën asnjë nga ne, të anës këtej të tavolinës nuk e pranojmë rolin e statistikës në skenarin e parashkruar nga ju.
Keni treguar qartë dhuntinë tuaj për të marrë tezat dhe antitezat e rregullores dhe për të prodhuar një sintezë ku rregullorja, ka vetëm pikat që sugjestionohet nga pëlqimi juaj.
Edhe vetë Hegel do t’iu duartrokiste fort. Ju mund të doni që koha e këtij komisioni të mos ketë opinionet tona dhe të mbushet me zhurmën e zërit tuaj të artikuluar, por nuk funksionoin kështu komisioni hetimor.
Do të duhet të mbijetoni me opinionet tona dhe t’i respektoni deri në fund.
Albana Vokshi: Për të respektuar kërkesat tuaja, miratuam rendin e ditës. Ju kujtoj që hetimi fillon me dërgimin e kërkesave të nismëtarit, pastaj pasi merren provat miratohet plani. Plani është për dijeni, jo për miratim plani. Nuk jemi fare në dijeni të këtij plani. Po dezinformoni.