MENU
klinika

Llogari bankare, apartamente dhe makina luksoze

Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e pasurive të Gëzim Çelës

23.04.2024 - 17:32

Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi sekuestrot e pasurive të personave të bashkëlidhur me atë që njihet si “Baroni i drogës”, Gëzim Çela.

Në fillim të këtij muaji SPAK ka vënë në sekuestro pasuri të shumta, nga apartamente me vlerë 400 mijë euro, makina luksoze, si dhe shuma të mëdha parash që dyshohet se janë përftuar nga të ardhurat nga trafiku i drogës, nga anëtarët e bandës së bosit të drogës, Gëzim Çela.

Janë sekuestruar 1 dyqan dhe 2 apartamente me vlerë mbi 400 mijë euro në emër të Miranda Thardorit, ish gruaja e Çelës, si edhe pasuritë e të vëllait Naim Çelës.

 

1.     Pasurisë së llojit “Njësi Tregëtare”, me sipërfaqe 237 m2, në pronësi të shtetases Miranda Thardori, e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 321 120 Euro (sipas kontratës së porosisë së datës 18.02.2008);

2.     Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 74 m2, në pronësi të shtetases Miranda Thardori, e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 42 200 Euro;

3.     Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 77, 2 m2 në pronësi të shtetases Miranda Thardori, e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 40 000 Euro;

4.     Automjetit BMW X3 3.0D, në pronësi të shtetasit Naim Çela;

5.     Automjetit furgon i markës Mercedes Benz, Tipi 639, Modeli Vito 109 CDI, në pronësi të subjektit Naim Çela;

6.     Shuma monetare në total prej 4 576 585 Lekë, në llogaritë bankare të shtetasit Naim Çela;

7.     Shuma monetare në total prej 57 219 Euro, përkatësisht në llogarinë bankare të shtetasit Naim Çela dhe e sekuestruar CASH shtetasit Gëzim Naim Çela;

8.     Subjektin “X…….” sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin G.Gj, të gjitha asetet e tij, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe pasuritë e luajtshme, automjetet si më poshtë vijon:

·       Volkswagen Golf, prodhim i vitit 2015;

·       B.M.W., prodhim i vitit 2011;

·       Volkswagen, prodhim i vitit 2006;

·       Audi, prodhim i vitit 2007;

·       B.M.W., prodhim i vitit 2004;

·       Fiat “Doblo”, prodhim i vitit 2014;

·       Mercedez Benz, prodhim i vitit 2010;

·       Daimler Chrysler, prodhim i vitit 2007;

·       Volkswagen Golf, prodhim vitit 2009;

·       Volkswagen Golf Tdi, prodhim i vitit 2016

Çela u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi të vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.

Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me Kokainë.

Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.