MENU
klinika

Masat për sezonin turistik

Balluku: Do të fillojmë shumë shpejt operimet në Qendrën e Menaxhimit të Trafikut

29.04.2024 - 15:02

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka qenë e pranishme në takimin për masat e ndërmarra për sezonin turistik. Gjatë fjalës së saj Balluku u shpreh se do të fillojnë shumë shpejt operimet në Qendrën e Menaxhimit të Trafikut. Sipas saj aty ku parashikohet që të akomodohen të gjitha ato struktura që ndërhyn menjëherë, duke shkurtuar kështu kohën e ndërhyrjes në territor dhe duke i shërbyer padyshim edhe turizmit.

Ajo më tej shtoi se nuk ka ardhur koha por sipas ministres ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme por mbi të gjitha është bërë një promovim i vendit nga kryeministri Edi Rama. Sipas saj Shqipëria tashmë gëzon në arenën ndërkombëtare një vend të veçantë pikërisht nga çka kryeministri ynë ka bërë.

Fjala e plotë:

Unë si e fundit para kryeministrit do ti bie më shkurt nga të gjithë, se kolegët e zgjatën. Megjithatë duhet thënë që çka kuptuam nga të gjitha fjalimet tregojnë se kemi një fokus holistik të qeverisë në një nga sektorët më të rëndësishëm atë të turizmit. Sigurisht ky fokus holistik i qeverisë kërkon nga ana tjetër që të kemi një sinergji dhe bashkëpunim midis palëve.

E thanë që të gjithë ministrat sesi do të funksionojë, ndërkohë që unë duke përfaqësuar këtu portofolin e infrastrukturës dhe të energjisë, si dy nga kolonat bazë mbajtëse të sektorit të turizmit do të thoja që ne do të fillojmë shumë shpejt operimet në Qendrën e Menaxhimit të Trafikut, aty ku parashikohet që të akomodohen të gjitha ato struktura që ndërhyn menjëherë, duke shkurtuar kështu kohën e ndërhyrjes në territor dhe duke i shërbyer padyshim edhe turizmit. Do të kemi aty ARRSH-n, Policinë e Shtetit, pra përmes Policisë Rrugore, Urgjencën Kombëtare, Emergjencat Civile dhe të gjithë ata trupa të cilët duhet të marrin informacion nga terreni.

Megjithatë duhet thënë që ky sukses nuk ka ardhur ashtu siç mundohen ta shesin me demagogjinë politike disa. Nuk ka ardhur se i erdhi koha, sepse pyetja është pse nuk erdhi koha para 10 vjetësh, pse nuk erdhi koha para 5 vjetësh. Nuk ka ardhur koha, thjesht është bërë një punë e jashtëzakonshme nga Qeveria Shqiptare, nga institucionet, nga bashkitë kudo në vendin tonë, por mbi të gjitha është bërë një promovim i vendit nga kryeministri Edi Rama që ne e dimë shumë mirë që Shqipëria tashmë gëzon në arenën ndërkombëtare një vend të veçantë pikërisht nga çka kryeministri ynë ka bërë.

Takoj kudo shqiptarë, kudo që ne lëvizim dhe është një melodi për veshin tim kur dëgjoj që thonë, ndihemi mirë tashmë që themi që jemi shqiptarë. Ose sa herë që themi që jemi nga Shqipëria njerëzit thonë: Nga Shqipëria, nga Maldivet e Europës! Nga atje ku kuzhina, kulinaria është spektakolare. Ky vend jemi ne.

Tani çfarë ndodh?! Ndodh që, e keni parasysh sidomos zonjat që janë në sallë kur ftoni 4 veta për darkë në shtëpinë tuaj dhe tek dera shfaqen 10. Kështu na ndodhi një vit më parë. Ishim përgatitur për një numër të konsiderueshëm turistësh, por erdhën shumë më shumë. Mbi 10 milionë. Ndaj që të gjithë së bashku ne na u desh që të performonim në mënyrën më të mirë për të pasur sa më pak aksidente, për të pasur sa më shumë kapacitete të disponueshme për akomodimin e tyre, ti shërbenim sa më mirë dhe për të thënë të drejtën ia dolëm. Sepse përndryshe nuk do të kishim këtë jehonë pozitive që kemi në mediat ndërkombëtare.

Por, çdo të ndodhë këtë vit? 14 milionë është projeksioni dhe nga ç’duket projeksionet gjithmonë gabojnë vitet e fundit, por gabojnë në mënyrë pozitive. Ajo që ne projektojmë është shumë më shumë në numër. Kështu që kini parasysh që në aeroportin e Rinasit në 2023 kemi përpunuar 7.2 milionë pasagjerë. Krahasuar me vitin 2019 kur kemi përpunuar 2 milionë pasagjerë me një lodhje dhe pamundësi të madhe. Si arrijmë sot të përpunojmë disa fishin. Arrijmë përmes një strategji të aviacionit civil, të cilën e kemi shpallur në vitin 2019 dhe është strategjia e portave hyrëse nga ajri, siç e ka quajtur kryeministri.

4 aeroporte, duke nisur nga Kukësi, Tirana, Vlora dhe ai i Gjirokastrës janë dhe do të jenë të disponueshme në territorin tonë, duke pasur parasysh që aeroporti i Kukësit është operativ. Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është totalisht një aeroport tjetër. Kur rinegocuam kontratën dëgjuam shumë, ashtu siç bëhet gjithmonë me gjithçka të re që ne bëjmë. Por ama ajo kontratë e rinegocuar u bazua mbi garantimin e një investimi 100 milionë euro, i cili konsiston në zgjatimin e pistës për ta kthyer atë aeroport në një aeroport të kategorisë E, ku do të akomodohen të gjithë fluturimet transoqeanike që Shqipëria nuk i ka pasur gjer më sot dhe që pasagjerët shqiptarë, ata që jetojnë këtu, apo të diasporës, apo dhe vizitorët kanë mbushur aeroportet e tjera të rajonit, si Vjenën, Stambollin dhe Romën etj.

Tashmë do të fluturojmë nga aeroportet tona. Ka qenë një aeroporti, ai i Rinasit i vetmi në vend me 13 mijë metra katrorë terminale. Sot kemi 40 mijë metra katrorë terminale. Kemi 9 vend parkime të reja, 2 prej të cilave janë të destinuara për ato avionë që bëjnë udhëtime transoqeanike dhe të gjitha këto ndodhin vetëm në Rinas. Ndërkohë që aeroporti i Vlorës ka një ecuri të shkëlqyer dhe në fund të këtij viti, pra në dhjetor, do ta kemi plotësisht të dorëzuar, për të vazhduar pastaj me fazën e certifikimit dhe vitin tjetër në këtë kohë do të ngrihen dhe do të ulen avionët e parë edhe në Vlorë.

Ndërkohë që gjatë muajit maj do të hapen dy gara ndërkombëtare për dy porte, një port nga ajri dhe një port nga deti. Hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano, duke filluar kështu një epokë të re për industrinë detare. Një epokë e re e cila përfshin dy porte moderne, portin e ri të Durrësit, portin e ri të Vlorës në triport dhe dy marina akoma më moderne dhe elitare atë të Durrësit dhe atë të Vlorës. Për të vazhduar më pas me të gjitha planet tona për Shëngjinin dhe për Sarandën. Por në ndërkohë, siç ju thashë kemi dhe një garë tjetër ndërkombëtare atë të aeroportit të Gjirokastrës.

Porta e katërt e cila e nisëm si proces për Sarandën, por në një komunikim shumë intensiv me Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit arritëm në konkluzionin që ishte e pamundur që ky aeroport të ndërtohej në Sarandë, për shkak të zonave të mbrojtura dhe densitetit turistik që kemi atje dhe kështu u spostuam në një zonë të sprovuar përsa i përket korridoreve ajrore, ajo e Gjirokastrës. Për më tepër ky aeroport do ti shërbejë edhe malësisë, zonës së Tepelenës, Gjirokastrës që është një nga qytetet e mbrojtura nga UNESCO, por edhe gjithë zonës bregdetare të skajit jugor, pasi lidhen nga një tunel, nga tuneli Skërficës dhe i duhen vetëm 35 minuta nga aeroporti i Gjirokastrës deri në Sarandë pasagjerëve në të ardhmen.

Gjithashtu ka dhe një zhvillim tjetër përsa i përket aviacionit civil që ka të bëjë me zhvillimin e nënsektorëve që nuk i kemi pasur deri dje. Ngritja e një akademie për përgatitjen e të gjithë kapaciteteve njerëzore që do të duhen për të operuar në këto aeroporte apo dhe në industritë e lidhura me këto aeroporte, do të jetë një risi tjetër që do të vijë gjatë këtij viti. Në shtator do të kemi një akademi e cila mbështetet nga ICAO dhe nga ana tjetër sigurisht çfarë është më e rëndësishme edhe në Tiranë, edhe në Vlorë ne do të kemi ngritjen e hangarëve për të filluar përpunimin e mirëmbajtjes të avionëve që deri më sot nuk e kemi pasur në vendin tonë.

Në ndërkohë nuk duhet lënë mënjanë, e di që thashë që nuk do zgjatem, por është lista. Nuk duhen lënë mënjanë të gjitha arritjet infrastrukturore që kemi. Ky do të jetë një vit me shumë dorëzime veprash dhe me shumë hapje të kantiereve të reja. Të gjithë më pyesin nëse e kam seriozisht kur them që Thuman-Kashar, një nga akset rrugore pjesë e Korridorit Blu, por një nga akset rrugore më kyçe të këtij korridori, pasi do të jetë ajo që do të shpëtojë një herë e mirë të gjithë trafikun që prej vitesh me të vërtetë e kemi pasur problem trafikun që shkon apo që vjen nga veriu dhe zonën e Rinasit. Po e kam seriozisht. Në 30 qershor Thumanë-Kashar do të jetë një aks i përshkueshëm. Ajo do të jetë dita ku çdo automjet do ta përshkojë atë aks dhe për më tepër ne me shumë gëzim do t’ia dorëzojmë Policisë së Shtetit që të nisë operacionet dhe të ketë monitorim të plotë.

Gjithashtu në 30 qershor, por do ti koordinojmë, nëse Thumanë-Kashari do të hapet në 30 qershor, atëherë tuneli i Llogarasë do të hapet një ose dy ditë më pas, pasi dhe forcat tona duhet të jenë të përqendruara. Do të hapim tunelin e Llogarasë. Tunelin e Llogarasë që në opinionin tim është perla e infrastrukturës shqiptare. Një tunel prej 6 kilometrash që quhet ‘long range’ përsa i përket tuneleve europiane, një tunel që unë do ta quaja një vepër arti edhe për shkak se gjeologjia na ka ndihmuar atje, ndryshe totalisht nga tuneli i Murrizit, por edhe ai tunel do të dorëzohet brenda vitit 2024 duke mbyllur njëherë e mirë rrugën e Arbrit.

Të gjitha këto janë ato vepra që ne kemi nisur, ato vepra që mbaheshin në sirtar, ato vepra që nuk e di pse konsideroheshin ëndrra, ndërkohë që janë punë publike që duheshin kryer prej vitesh, pasi impakti ekonomik indirekt që këto korridore kanë, Korridori Blu, Korridori VIII që është në ndërtim e sipër, aeroportet, portet dhe gjithçka tjetër është me të vërtetë i pamatshëm.

Duhet pasur parasysh që energjia gjithashtu është një kolonë e rëndësishme e turizmit dhe në bashkëpunim me të gjithë kryetarët e bashkive ne kemi identifikuar këto zona të cilët mund të konsiderohen delikate përsa i përket edhe numrit të shtuar të turistëve gjatë sezonit, siç tha dhe Mirela që është zgjatur, dhe ne jemi të lumtur që nisë që në prill dhe përfundon në nëntor, por nga ana tjetër janë dhe zona delikate për shkak të relievit, edhe për shkak të një situate energjetike e cila është e trashëguar dhe me të gjithë punën që është bërë në këto 10 vite sigurisht ne kemi akoma shumë punë për të bërë përpara. Por kemi një përqendrim forcash, 1500 elektricistë do të jenë në dispozicion gjatë gjithë sezonit për të ndërhyrë për çdo lloj problematike, për të mos pasur vonesa mbi të gjitha dhe nga ana tjetër OSHEE ka marrë masa për të investuar në të gjithë Ultësirën Perëndimore dhe në zonat veriore dhe verilindore ku kemi nuklat e zhvillimit turistik.

Do doja të identifikoja një gjë të fundit, megjithëse kam një listë të gjatë, por duhet ta mbyll sa më shpejt. Dua të identifikoj një bashkëpunim të shkëlqyer me sektorin privat. Është porosi e Kryeministrit që të gjithë ministrat janë të qartë që duhet të jemi sa më pak burokratikë. Kemi nisur një proces riinxhinierimi të të gjithë inspektorateve për të mos shqetësuar më bizneset duke i shkuar secili përditë dhe nga një herë dhe jemi munduar që të jemi sa më të saktë për të kryer detyrën tonë, pa lënë mënjanë ligjshmërinë dhe pa lënë mënjanë sigurinë e ofrimit të shërbimeve në të gjithë nivelet e sektorit privat. Megjithatë dua të identifikoj një bashkëpunim të shkëlqyer që kemi pasur dy muajt e fundit.

Pasi identifikuam verën e kaluar që ujërat e ndotura që derdheshin në ujërat larës ishin një problem shumë i rëndë në të gjithë Ultësirën Perëndimore sidomos, morëm një vendim për miratimin e një akti normativ i cili i detyron të gjitha subjektet të ndara sipas kategorive që të vendosin impiante para përpunuese të ujërave të ndotura.

Me të vërtetë ka qenë një debat publik të cilin ne e kemi mbajtur vetë ndezur, pasi kemi kuptuar që është shumë e rëndësishme që para çdo vendimmarrje të kemi një diskutim publik, të kemi dialog konstruktiv me grupet e interesit. Dhe sigurisht pasi i kemi bërë të gjitha këto hapa unë kam prej ditësh që jam në terren me drejtuesit e AKUK dhe të Task Forcës dhe dua të them dhe të falënderoj të gjithë subjektet që kanë treguar mirëkuptim dhe janë duke punuar intensivisht për të mbyllur këtë kërkesë të aktit normativ dhe për të filtruar të gjithë ujërat e ndotura për të shpëtuar kështu ujërat larës që siç i ka Shqipëria, nuk i ka asnjë vend tjetër. Shumë faleminderit për vëmendjen dhe ju duhet të dini që ne jemi që të gjithë të gatshëm për të bërë punën ashtu siç duhet gjatë këtij sezoni.