Ka hyrë në fuqi vendimi për dhënien e garancisë sovrane prej 4 miliardë lekë për sektorin fason, për investime dhe për blerjen e lëndës së parë.
Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare thuhet se aplikimet për të përfituar nga garancia sovrane duhet të bëhen para datës 31 tetor 2024, dhe kontratat për miratimin e huasë nga 11 bankat tregtare do të nënshkruhen jo më vonë se 31 dhjetor i këtij viti.
Të gjitha bizneset që do të aplikojnë për të marrë këtë kredi që do të ketë normë interesi deri 1.5%, dhe pa pagesë principali për 6 muajit e parë kur është për blerje lënde të parë dhe 9 muaj kur është për investime, nuk do mund të marrin më shumë se 100 milionë lekë. Bizneset pas marrjes së kredisë, ku është për investim kanë 7 vite kohë ta shlyejnë, ndërsa kur është për blerje lënde të parë duhet ta kthejnë brenda 3 vitesh.
Që bizneset të jenë përfituese të kredisë përveç se duhet të jenë të regjistruar në QKB, duhet të mos kenë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit, të mos kenë pasur historik me kredi me probleme dhe të mos kenë historik me probleme me garancitë e pandemisë dhe të krizës së çmimeve.
Huamarrësi do të nënshkruaj edhe një formular vetëdeklarimi ku garanton se kredinë do ta përdor vetëm për investime ose lëndë të larë në biznesin fason.
“Huamarrësi duhet të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit që do t’i vendoset në dispozicion nga Huadhënësi, nëpërmjet të cilit deklaron se Fondet e Huas do të përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni. Gjithashtu, në formularin e vetëdeklarimit, Huamarrësi duhet të deklarojë kreditë e aprovuara dhe ato në proces aplikimi/aprovimi në emër të Huamarrësit, të aprovuara, apo në proces aprovimi brenda kësaj skeme garancie nga institucionet e tjera huadhënëse”, thuhet në vendim.
Po ashtu në vendim thuhet se banka do të mund të vendosë penalitete për pagesat e vonuara të kësteve por jo nëse kredia shlyhet para kohe.
Bankat do të bëjnë vlerësimin e rrezikut për huamarrësit, në përputhje me standardet dhe legjislacionin bankar, si dhe janë të lirë të kërkojnë kolateral shtesë përveç vlerën 70% që e garanton Ministria e Financave.
“Huadhënësi, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin Huamarrës gëzon të drejtën që të kërkojë ose jo kolateral shtesë nga Huamarrësi, por në asnjë rast masa e kërkuar e kolateralit, duke përfshirë edhe vlerën e garantuar të Huas, sipas kësaj Marrëveshjeje, nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur, sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të Huadhënësit”, thuhet në vendim.
Garancia shtetërore u miratua në nisje të këtij viti për shkak të humbjeve të mëdha të sektorit fason, si rezultat i zhvlerësimit të fortë të euros. Kjo kredi i mundëson bizneseve të industrisë përpunuese mbështetje financiare përmes kreditimit me kushte lehtësuese, në kushtet e krizës që po përjetojnë prej zhvlerësimit të euros.