MENU
klinika

Zhang po negocion shitjen e klubit

Borxhi 250 milionë euro, arabët i ‘trokasin’ Interit në derë!

13.04.2024 - 15:00

Inter është pranë titullit të 20-të kampion në Serie A, por një gjë e tillë s’i ka qetësuar ujërat në klubin zikaltër. Edicioni i sotëm i Corriere della Sera bën me dije se Inter ka një borxh prej 250 milionë eurosh ndaj kreditorit amerikan Oaktree dhe afati kohor zgjat deri në fundin e majit.

Një gjë e tillë ka bërë që presidenti i zikaltërve, Steven Zhang të pranojë oferta për të shitur klubin. Bëhet fjalë për familjen mbretërore të Arabisë Saudite, e lidhur me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman.
Për Interin nuk interesohet fondi i zakonshëm PIF, por një blerës tjetër nga brenda kësaj familje i cili do e ketë fokusin në klub. Sipas “CDS”, negociatat po zhvillohen personalisht nga kreu aktual i Interit, Zhang, me ndihmën e bankave investuese Goldman Sachs dhe Raine.

Përpara se të realizojë shitjen, Zhang do duhet të gjejë 250 milionë euro + 70 interesa për të shlyer Oaktree deri në 20 majin që vjen. Për t’u bërë pronar i Interit, sauditët do duhuet të paguajnë 1 miliardë e 200 milionë euro, kaq vlen klubi, ndërkohë që duhet shlyer më parë borxhi.
Duket se e ardhmja e Interit është në duart e arabëve dhe milionat e naftës do futen në skenën e madhe të futbollit italian.