MENU
klinika

“Koha do ta tregojë kush janë tradhtarët”

Braimllari i përgjigjet Metës: Monika ka kontribut të jashtëzakonshëm

29.04.2024 - 11:03

Anëtari i Kryesisë së PL-së, Endrit Braimllari disa ditë para Konventës së Partisë së Lirisë, njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i nënkryetarit të partisë ndërkohë që ka sqaruar dhe arsyet pse vendosi të bënte një hap pas.

Ai gjithashtu tha se asnjëherë nuk është larguar nga anëtarësia e partisë.

“Unë vendosa që të bëj disa hapa pas. Nëse unë do të isha pjesë e një gare në parti mund të krijonte dhe një përplasje brenda strukturave. Nuk doja që të krijohej një përçarje në këto kushte në të cilat ndodhemi. Ne kemi kaluar në një fazë tjetër organizimi. Unë do mbështes vendimet e Konventës Kombëtare. Si ish-nënkryetar partie kam përgjegjësinë time për kontributin ndër vite. Unë asnjëherë nuk jam larguar nga anëtarësia e partisë”, tha Braimllari.

Sa i përket “divorcit” politik Meta-Kryemadhi, Braimllari tha se kjo e fundit ka një kontribut të jashtëzakonshëm në parti dhe në politikën shqiptare. Ndërsa lidhur me “tradhëtarët” në parti të përmendur nga Ilir Meta gjatë daljeve të tij të fundit, Braimllari tha se koha do ta tregojë cilët janë tradhtarët.

“Monika ka një kontribut të jashtëzakonshëm në politikën shqiptare. Është e para grua që ka qenë në krye të një partie. Ne u përballëm me një situatë jo të mirë brenda partisë dhe Monika Kryemadhi u bë një digë për të ndaluar këtë hemoragji. Një parti politike në opozitë ka nevojë për gjithëpërfshirje, se kush është në ekip drejtues pastaj nuk është problem. Unë jam shumë dakord me skemën që mund të mendojë kryetari sepse ajo e nxjerr fituese partinë, dhe unë e mbështes. Por fakti që mund të kem një mendim kritik, nuk do të thotë që jam kundër asaj skeme, nuk do të thotë që jam tradhtari. Meta dhe Kryemadhi balancojnë njëri-tjetrin në politikë. Mënyra se si ka bërë Meta politikë, vizioni i tij i dha mundësi shumë të rinjve dhe të rejave që të përfshiheshin. Ka qenë në mbrojtje të interesave kombëtare kur ishte President i vendit. Por edhe Kryemadhi ka një rol po aq të veçantë për sa i përket politikës së terrenit. Ky kombinim i tyre ndër vite ka sjellë rezultate të shkëlqyera.

Çdo parti ka lidhje familjare në Shqipëri. Partitë politike janë bashkim vullnetar njerëzish. Fjalën tradhtar unë e kam dëgjuar shumë herë. Historia dhe jeta jonë do ta tregojë se kush janë tradhtarët. Angazhimi ynë brenda strukturave do ta tregojë nëse jemi tradhtarë”, tha Braimllari në Vizion Plus.