MENU
klinika

Përgjigjet dietologia

Cilat janë ushqimet më të mira për fëmijën në shkollë?

15.04.2024 - 11:17

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacient: Cilat janë ushqimet më të mira për fëmijën në shkollë?

Mjeku: Pas mëngjesit, ushqimi që fëmija do të konsumojë në shkollë është i një rëndësie të veçantë. Parimi bazë është që të jeni në dijeni të ushqimit që ai konsumon dhe mundësisht të jetë i përgatitur nga ju.

Në varësi të orëve që do të kalojë në shkollë, duhet të jetë dhe ushqimi i marrë me vete. Për fëmijët që kthehen në shtëpi brenda 4 orëve, është mëse i mjaftueshëm 1 frut si molla, banania dhe dardha. Për më shumë se 5 orë është mirë të merret me vete një sanduiç me bukë të zezë, të cilin mund ta kombinoni me:

  • Ton, sallatë jeshile, gjizë
  • Vezë, djathë të bardhë, domate
  • Gjoks pule, sallatë jeshile, kastravec, salcë kosi
  • Gjize, ullinj te bërë salcë, speca të pjekur
  • Ton, fasule të bëra në formë pureje, speca te kuq

Nëse fëmija juaj ushqehet me ushqim të ofruar nga shkolla, verifikoni:

  • Përmbajtjen në fruta, zarzavate
  • Llojin e mishit (p.sh.: ushqime të përpunuara si salçiçe, sallamë etj, në më të shumtën e rasteve përmbajnë konservues tepër toksik për fëmijët)
  • Vajin e gatimit, cilësia e të cilit mund ta kthejë një vakt nga të ushqyeshëm në çoroditës për metabolizmin e tij
  • Pijet që ofrohen, të cilat nuk duhet të përmbajnë sheqer
  • Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme është pajisja  e fëmijës me ujë me vete. Hidratimi i mjaftueshëm është shumë i rëndësishëm për funksionin e trurit dhe performancën mendore në përgjithësi.

Mos harroni, modeli jeni ju, në fund të fundit, çfarëdo që të themi, fëmijët do të ndjekin zakonet tuaja në më të shumtën e rasteve. Jepni shembullin e mirë!

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.