Tregtia e paligjshme e mbetjeve nga Europa në Azinë Juglindore është shndërruar në një sipërmarrje kriminale shumë fitimprurëse, me risk të ulët, me një ndikim të madh në mjedis, ekonomi dhe shëndetin e njeriut.
Shtetet e Azisë Juglindore, si Malajzia, Vietnami, Tajlanda dhe Indonezia, po përballen me një fluks të shtuar të anijeve të mallrave që vijnë të tejmbushura me plehra të paligjshme nga shtetet e industrializuara, ku një sasi e konsiderueshme trafikohet nga Europa.
Sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara që gjurmon trendet e trafikimit të mbetjeve nga Europa dhe Azia Juglindore, trafikantët shfrytëzojnë hapësirat dhe strukturat ligjore të bizneseve, duke e shndërruar trafikimin e mbetejeve një prej veprimtarive kriminale më të rrezikshme që ndikojnë në mjedis.
Pavarësisht rregulloreve ekzistuese, trafikantët fuqizohen nga mungesa e zbatimit të ligjit dhe joshen nga mundësitë për të fituar të ardhura lehtësisht. Komisioni Europian vlerëson se 15-30% të dërgesave të mbeturinave nga BE janë të jashtëligjshme, duke gjeneruar miliarda euro të ardhura të paligjshme çdo vit.
“Në çastin kur plehrat flaken në mënyrë të pakontrolluar, atëherë ato kthehen në problem për gjithësecilin prej nesh. Kur themi se duhet luftuar urgjentisht kundër trafikimit të plehrave, nuk ekzagjerojmë” – thotë për DW Masood Karimipour, përfaqësues i Azisë Juglindore pranë Kombeve të Bashkuara, nga Zyra Kundër Drogës dhe Krimit.
Sipas të njëjtit raport, vendet e Shoqatës së Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN), në periudhën 2017-2021 importuan së bashku më shumë se 100 milionë tonë mbetje të metaleve, letrës dhe plastikës, në një vlerë prej rreth 47 miliardë eurosh.
Indonezia – epiqendra e trafikimit të mbetjeve
Tregtia e botërore e mbetjeve ka pësuar një ndryshim drastik gjatë viteve të fundit si pasojë e një sërë masash të ndërmarra nga Kina në vitin 2018, për të luftuar fluksin e importit të mbeturinave të padëshiruara brenda territorit të saj. Rezultatet që dhanë masat e vazhdueshme dhe të ashpra të Kinës, bënë që linjat e dërgesave të plehrave të merrnin tjetër rrjedhë, dukshëm drejt Azisë Juglindore. Shtetet si Indonezia janë kthyer në destinacionet parësore të ngarkesave të anijeve që mbartin plehra të ligjshme dhe të paligjshme. “Në Indonezi nuk ka asnjë ekosistem që mbështet konsumin, prodhimin dhe riciklimin e qëndrueshëm” – i tha DW Yuyun Ismawati, këshilltar i lartë i fondacionit mjedisor “Nexus3”.
Referuar të dhënave nga Zyra e Statistikave të Indonezisë, pas vitit 2018, vendi u përball me një rritje të papritur të importeve të mbetjeve, ku kryesisht mbetjet e letrës dhe plastikës mbizotëruan ngarkesat e shteteve perëndimore europiane. “Nexus3” zbuloi se mbetjet plastike shpesh kontaminojnë copëzat e letrës, duke përbërë kërcënim alarmant për mjedisin dhe shëndetin, kryesisht në rajone si Java ose Sumatra.
Plastika problematike asgjësohet ose u dhurohet komuniteteve vendase nga kompanitë që importojnë letër, të cilët më pas përfshihen në ndarjen dhe djegien e paligjshme të plastikës.
Zjarret çlirojnë nivele alarmante dioksinash dhe kimikatesh të rrezikshme, të cilat më pas përfundojnë në zinxhirët e ushqimit njerëzor. Për shkak të tymit dhe ushqimit të helmuar, shumë banorë të këtyre fshatrave sëmuren rëndë nga mushkëritë, stomaku madje dhe kanceri dhe detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre.
Mbetjet, një biznes shumë fitimprurës
Pavarësisht pasojave të dëmshme në shëndet dhe mjedis, trafikimi i mbetjeve shihet ende si një aktivitet kriminal shumë fitimprurës në Azinë Juglindore.
Sipas Serena Favarin, kriminologe italiane e “Universita Cattolica del Sacro Cuore”, trafikantët përdorin metoda të sofistikuara dhe zinxhirë të furnizimit ushqimor për të shmangur kontrollet dhe mbeturinat e anijeve, në vendet ku rregulloret janë më pak të rrepta dhe çmimet për asgjësim të paligjshëm të mbeturinave janë shumë më të ulëta. “Krimi nuk funksionon njësoj në të gjitha vendet, dhe kjo krijon një çorganizim në mënyrën se si trajtohen mbetjet” – i tha ajo DW.
Në shumë shtete ku përfundojnë mbetjet, trafikimi i mbetjeve nuk ndiqet penalisht, por përbën shkelje administrative dhe civile. Edhe nëse trafikantët i shkelin ato rregulla haptas dhe vazhdimisht, dënimet shpesh janë minimale, duke bërë të mundur “lulëzimin” e aktiviteteve të paligjshme.
Si luftohen mbetjet e jashtëligjshme?
Edhe pse trafikimi i jashtëligjshëm i mbeturinave shkakton shumë probleme për komunitetet, ekspertët pajtohen me mendimin se një menaxhim i mirë-rregulluar i plehrave të ligjshme, është i nevojshëm. Ky menaxhim zbut dëmet në mjedis dhe funksionon më së miri përmes riciklimit.
Për këtë arsye, shumë vende dhe aksione ndërkombëtare ligjzbatuese midis Azisë dhe Europës, po ndërmarrin operacione të përbashkëta për të mbyllur boshllëqet dhe shkatërruar aktivitetin e paligjshëm ekonomik në të cilat veprojnë kriminelët. “Është e rëndësishme të forcohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve, në mënyrë që të krijohen rregullore të njësuara mes shteteve. Duke pasur rregullore të ngjashme, është më e lehtë të veprohet” – thotë Favarin.
Harmonizimi i kornizave ligjore mund të ndihmojë në miratimin e ligjeve më të forta dhe të imponojë gjobitje më të ashpra për krimet që lidhen me trafikimin e mbeturinave. Aktualisht Bashkimi Europian po përditëson rregulloret e dërgesave të mbeturinave, me qëllim zvogëlimin e eksporteve problematike dhe forcimin e zbatimit të ligjeve. Ndryshimet pritet të miratohen në fund të këtij muaji.
Për më tepër, teknologjia e re mund të vihet në dispozicion për mbrojtjen e mjedisit. “Dronët ose imazhet satelitore mund të ndihmojnë në zbulimin e sasive të mëdha të mbeturinave ose grumbujve të mbeturinave në zona të veçanta, si vendgrumbullimet e paligjshme të mbetjeve ose zjarret e paligjshme në zonat e mbrojtura” – përmbyll Favarin./DW