MENU
klinika

Arrestohet autori!

Dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti, Policia e Kosovës jep detaje për ngjarjen tronditëse në Ferizaj

12.04.2024 - 17:28

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Kosovë, më saktësisht në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku një burrë ka vrarë ish-bashkëshorten dhe ka plagosur kunatin. Policia ka konfirmuar se i dyshuari është arrestuar pak minuta pasi ka tentuar të arratiset.

Siç mësohet, ata ishin në proces ndarjeje dhe kishin mosmarrëveshje për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve. I dyshuari ka kërcënuar edhe një punonjës social në këtë qendër.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar”, tha kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Njoftimi i Policisë së Kosovës:

Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur.

Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.

Ekipe të hetuesve dhe krimteknikët janë në vendin e ngjarjes të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.