Kina po prodhon makina pa fund, ndërsa qeveria e saj ofron para dhe kredi për industrinë e teknologjisë së lartë, duke u përpjekur të rigjallërojë ekonominë kineze që ka ngecur në vend. Suficiti tregtar i prodhimit ka arritur tashmë një rekord të lartë si pjesë e PBB-së globale dhe pritet të rritet edhe më tepër.
Një dekadë më parë, Xi Jinping u mirëprit në Duisburg të Gjermanisë. Ai e vlerësoi rajonin si një qendër për investimet kineze, përmendi një tren që kishte kaluar dy javë, duke udhëtuar nga qyteti Chongqing, në Rusi, derisa kishte mbërritur në brezin industrial të Europës, më pas Xi shijoi një performancë orkestrale të këngëve tradicionale.
Kohët e fundit, një tjetër mbërritje nga Kina në Gjermani u prit me më ftohtësi. Në shkurt, një anije e quajtur BYD Explorer Nr. 1, shkarkoi rreth 3000 makina elektrike të prodhuara nga një firmë kineze e automjeteve elektrike, me emër BYD.
Siç duket nga emri i anijes, ajo do të pasohet nga të tjera. Nuk është për t’u habitur që kjo ka shkaktuar shqetësime për të ardhmen e prodhuesve gjermanë të makinave, që janë shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Kina po prodhon makina pa fund, ndërsa qeveria e saj ofron para dhe kredi për industrinë e teknologjisë së lartë, duke u përpjekur të rigjallërojë ekonominë kineze që ka ngecur në vend. Suficiti tregtar i prodhimit ka arritur tashmë një rekord të lartë si pjesë e PBB-së globale dhe pritet të rritet edhe më tepër.
Për rrjedhojë, udhëheqësit europianë kanë frikë nga fluksi i mallrave të përparuara dhe të lira kineze. Më 5 mars, Komisioni Europian deklaroi se Kina kishte subvencionuar në mënyrë të padrejtë prodhuesit e makinave elektrike, duke paralajmëruar për vendosjen e tarifave ndëshkuese.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e paralajmëroi Kinën që të mos “garonte me dredhi” në teknologjinë e gjelbër. Britania ka nisur një hetim mbi ekskavatorët e vendit. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të mirëpresë në Paris presidentin kinez Xi në maj. Diplomatët thonë se ai do të përcjellë “mesazhe të forta” për tregtinë.
Në fakt, shtete të ndryshme të botës, nga Brazili në Indi, po bëjnë lëvizje për të bllokuar eksportet e Kinës. Megjithatë, këto eksporte janë një kërcënim i veçantë për prodhuesit europianë, për shkak të modelit të rritjes së kontinentit, që prej kohësh ka pasur në zemër tregtinë.
Sipas studiuesve të FMN-së, Europa është rajoni i botës më i hapur për tregti dhe investime.
Në BE, tregtia e mallrave dhe e shërbimeve arrin në plot 44% të PBB-së, pothuajse dy herë më shumë se në Amerikë. Si një bllok i mbështetur në rregulla, BE-ja nuk dëshiron të shkelë rregullat e tregtisë në mënyrë shumë flagrante, duke ngritur barriera. Në një gjendje të tillë është edhe Britania, e cila njihet për mbështetjen e tregtisë së lirë.
Goditja e re nga Kina ka ndodhur në një kohë shumë të keqe për industrinë europiane. Ajo po përballet ende me goditjen energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, që nisi pikërisht në kohën kur udhëheqësit e shteteve europiane po përpiqeshin të përshpejtonin tranzicionin e gjelbër.
Çmimet e gazit, që zakonisht janë rreth 20 € (22 dollarë) për megavat/orë, u rritën në më shumë se 300 € në vitin 2022, duke rritur edhe çmimin e energjisë elektrike në tërësi. Rimëkëmbja pas Covid-19 u thye nga inflacioni dhe kriza energjetike. Banka Qendrore Europiane (BQE) u detyrua të rrisë normat në nivelin 4%, duke goditur kërkesën në një ekonomi që ishte tashmë e dobësuar.
Lëvizjet fiskale gjatë krizës pandemike dhe energjetike i kanë lënë vendet pa shumë hapësirë për manovrim. Kufijtë e rreptë të deficitit e kanë detyruar Gjermaninë të bëjë shkurtime në buxhet këtë vit dhe më shumë shkurtime priten në vitin 2025.
Franca sapo ka njoftuar se deficiti i saj në vitin 2023 ishte sa 5.5% e PBB-së, shumë më tepër se parashikimet. Vendi tashmë ka zbatuar “frenën urgjente” siç e quajti ministri i Financave, Bruno Le Maire, që nënkupton shkurtimin e shpenzimeve me 10 miliardë euro, për ta rikthyer politikën fiskale në rrugën e drejtë.
PBB-ja e BE-së është rritur me vetëm 4% në terma realë që nga viti 2019, sa gjysma e ritmit të rritjes së Amerikës. Në Britani dhe në Gjermani, PBB-ja për frymë madje ka rënë.
Sipas parashikimeve zyrtare, BE-ja dhe Britania do të kenë rritje ekonomike prej më pak se 1% këtë vit; të tjerat janë të pasigurta për t’u parashikuar. Ndërsa produktiviteti amerikan duket se është rritur gjatë pandemisë, ai i Europës po çalon. BQE-ja, udhëheqësit kombëtarë, grupet e ekspertëve dhe dy ish-kryeministra italianë.
Enrico Letta dhe Mario Draghi, po përpiqen të kuptojnë pse po ndodh kjo gjë. Në të njëjtën kohë, po shfaqet një tjetër kërcënim: nëse Donald Trump do të fitojë zgjedhjet presidenciale në Amerikë, eksportuesit europianë mund të goditen me tarifa shitjeje në një nga tregjet e tyre më fitimprurëse.
Një goditje e papritur
Pra, ndërsa ekonomia e kontinentit po përpiqet të përshtatet me tronditjen që mori nga Rusia në vitin 2022, si do të përshtatet me një tronditje të re nga Kina dhe ndoshta edhe një të tretë nga Amerika? Goditja e parë nga Kina erdhi në vitin 2001, kur vendi hyri në OBT dhe përfitoi nga pengesat më të ulëta tregtare, duke sfiduar prodhuesit perëndimorë. Në Amerikë, disa rajone dhe sektorë u goditën rëndë.
Europa e kaloi më lehtë, sepse kjo tronditje përkoi me pranimin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE. Zhvillimi i shpejtë i anëtarëve më të rinj të BE-së, nxiti rritjen e produktivitetit të bllokut dhe kërkesën për mallra perëndimore.
Këtë herë do të jetë ndryshe. Megjithëse Kina po zgjedh gjithnjë e më shumë të prodhojë teknologji të lartë në përgjigje të betejave të saj ekonomike, presidenti Xi gjithashtu dëshiron ta largojë vendin nga industria perëndimore. Ai do që Kina të bëhet një udhëheqëse teknologjike në sektorë që shihen si të nevojshëm për fuqinë kombëtare, si robotët industrialë dhe pajisjet hekurudhore.
Një Kinë që synon të jetë më pak e varur nga inputet e huaja, do të blejë më pak makina, më pak makineri dhe më pak pajisje të teknologjisë së lartë, pikërisht lloji i mallrave që janë pika e fortë e eksporteve europiane. Ekonomia e Kinës është gjithashtu shumë më e madhe nga sa ishte në fillim të mijëvjeçarit.
Siç vëren Adam Wolfe nga firma këshillimore Absolute Strategy, rritja e eksporteve të Kinës që nga viti 2019, ka pasur pasoja të mëdha në pjesën tjetër të botës.
Për më tepër, firmat europiane tani përballen me konkurrencën kineze në tregje gjithnjë e më të ndërlikuara, si në atdhe, ashtu edhe në vendet e treta. Marrim si shembull makinat, që konsiderohen si “xhevahiri” i kurorës së industrisë europiane.
Ky sektor, së bashku me zinxhirin e tij të furnizimit, punëson gjithsej rreth 3 milion europianë. Por markat kineze tashmë përbëjnë rreth 9% të tregut të baterive të pastra në Europën Perëndimore, sipas të dhënave nga Matthias Schmidt.
Në të gjithë kontinentin, regjistrimet e reja të automjeteve të markave kineze u dyfishuan midis viteve 2022 dhe 2023. Markat franceze, gjermane dhe italiane duket se janë veçanërisht të prekshme ndaj kësaj konkurrence. Analistët në Bankën UBS mendojnë se pjesa e tregut global të prodhuesve të mëdhenj të makinave, do të bjerë nga 81% sot, në 58% deri në vitin 2030.
Udhëheqësit europianë duan të zhvillojnë industritë e gjelbra dhe po derdhin me miliarda në përpjekjet për tranzicionin e gjelbër të ekonomisë për mbrojtjen e klimës. Megjithatë, kompanitë europiane që prodhojnë për tregun masiv, do ta kenë të vështirë të garojnë me vlerën që ofrojnë konkurrentët kinezë.
Kina tashmë mbizotëron në prodhimin e turbinave me erë dhe në vitin 2022, kishte një pjesë tregu prej 60%, sipas Këshillit Global të Energjisë së Erës.
Kjo bën të mundur që prodhuesit kinezë të gëzojnë burimet e nevojshme për risi të mëtejshme. Dhe gjërat po shkojnë vetëm në një drejtim. Treguesi i çmimeve të prodhimit në Kinë, që mat çmimet e mallrave në fabrika, ka rënë për 17 muaj dhe është afërsisht në nivelin e vitit 2019. I njëjti tregues për BE-në, edhe duke përjashtuar kostot e energjisë, është pothuajse një e katërta më shumë se niveli i katër viteve më parë.
Përpjekjet e Europës për të “zhdukur rrezikun” që vjen nga Kina, domethënë, për të marrë më pak inpute jetike nga ai vend dhe për të kufizuar investimet dhe eksportet e mallrave të teknologjisë së lartë drejt Kinës, do të shkaktojnë rritjen e kostove.
Në një punim të fundit, Julian Hinz dhe bashkautorët e tij në Universitetin Bielefeld, kanë studiuar efektet e një shkëputjeje të vështirë nga Kina dhe aleatët e saj. Ekonomia europiane e ndërthurur më ngushtë me Kinën është Gjermania dhe asaj, një shkëputje e përshkallëzuar nga Kina, do t’i kushtonte 1.2% të PBB-së, afërsisht njëlloj sa do t’i kushtonte Japonisë.
Shtetet e tjera të mëdha europiane dhe Amerika, do të humbnin rreth 0.5% të PBB-së. Për Kinën, humbja do të shkonte në rreth 2%.
Rreziku nga Amerika
Kostot e heqjes së rrezikut të varësisë kineze do të bëhen më të vështira për t’u përballuar, në rast se Trump fiton zgjedhjet në nëntor. Në këtë skenar, Amerika mund të vendosë taksa të reja për eksportuesit e kontinentit europian, të cilët vitin e kaluar shitën mallra me vlerë 500 miliardë euro në Amerikë. Në të vërtetë, 20 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, patën një suficit në tregtinë e mallrave me Amerikën.
Trump ngriti tensionet me Europën në mandatin e parë, kur Amerika vendosi tarifa të larta për aluminin dhe çelikun, duke goditur prodhuesit europianë. Europa u përgjigj duke vendosur tarifa për produktet amerikane, duke përfshirë burbonin dhe motoçikletat.
Pas ardhjes së Joe Biden, dy palët arritën njëfarë armëpushimi. Një mandat i dytë i Trump mund të jetë shumë më i dhimbshëm. Ish-presidenti ka propozuar një tarifë prej 10% për të gjitha importet e Amerikës. Robert Lighthizer, i cili e këshillon atë për tregtinë, ka shkuar edhe më larg, duke argumentuar së fundmi se mund të jenë “të nevojshme” tarifa edhe më të rrepta.
Një goditje e rëndë
Instituti Ekonomik Gjerman ka llogaritur ndikimin e mundshëm në rast se Amerika do të zbatonte tarifa prej 10% për importet e saj dhe do të ndëshkonte Kinën me tarifa edhe më të larta. Ekonomia amerikane do të pësonte një goditje, në formën e çmimeve më të larta të konsumit, por ajo e Europës do të dëmtohej edhe më tepër.
Eksportet totale të Gjermanisë do të ishin gati 5% më të ulëta deri në vitin 2028. Do të goditeshin edhe investimet private. Për rrjedhojë, PBB-ja gjermane do të ishte 1.2% më e ulët, e barasvlefshme me një humbje totale prej 120 miliardë eurosh në prodhim, deri në vitin 2028.
Një administratë Trump mund të shkojë edhe më larg, duke kërkuar të hakmerret kundër Europës për taksat e saj të shërbimeve dixhitale, të cilat shënjestrojnë firmat amerikane të teknologjisë, ose të hakmerret se Europa nuk pranon të ndjekë qasjen amerikane ndaj Kinës.
Ndërkohë, për sa u përket tensioneve midis Kinës dhe BE-së, ndoshta do të bëhen më të zakonshme hetimet për subvencionet dhe imitimet e lira. Për shembull, qeveria kineze, ka krijuar një ide të qartë se cili shtet europian qëndron pas vendimit të BE-së për të hetuar automjetet elektrike kineze. Në hakmarrje, Kina ka nisur një hetim tarifash importi për konjakun francez.
Franca i ka përshtatur subvencionet e automjeteve elektrike për klientët, në një mënyrë që të përjashtojnë markat kineze. Firmat kineze u ofruan klientëve një ulje të së njëjtës përmasë, një lëvizje që një analist e ka quajtur “një përshëndetje me një gisht për zotin Macron”.
Ndërthurja e energjisë, goditjeve të Kinës dhe rrezikut nga Trump, mund të çojë në një periudhë të zgjatur ristrukturimi në ekonominë europiane. Për konsumatorët e kontinentit, ky do të ishte edhe si një lloj bekimi. Luftërat tregtare i bëjnë mallrat më të shtrenjta dhe zvogëlojnë zgjedhjen, por kur Kina subvencionon panelet diellore, shërbimet europiane dhe familjet marrin energji më të lirë.
Disa rajone mund të përfitojnë gjithashtu. Vende si Spanja, me potencial në energjinë diellore, ose Suedia, me energji të erës dhe hidrocentrale, mund të tërheqin industri të reja.
Për shembull, në fillim të këtij viti, firma suedeze H2 Green Steel njoftoi se kishte siguruar 6.5 miliardë euro financim për fabrikën e saj pranë qytetit Lulea në veri të vendit.
Në mënyrë të ngjashme, disa firma të huaja do të duan të investojnë në Europë për të qenë pranë klientëve në një kohë kur tregtia është e vështirë. Polonia tërhoqi pothuajse 30 miliardë euro në Investime të Huaja Direkte (IHD) në vitet 2021 dhe 2022, dhe ndoshta po aq në vitin 2023.
Kjo është sa dyfishi i shumës që merrte zakonisht përpara pandemisë. IHD-të tani përbëjnë 25% të shpenzimeve kapitale të Polonisë, krahasuar me një mesatare prej 5% ose më shumë në vendet e industrializuara.
Disa erdhën nga Bosch, një firmë inxhinierike gjermane, dhe Daikin, një konglomerat japonez, të cilët po ndërtojnë fabrika të pompave të nxehtësisë në Poloni. Sipas një sondazhi nga firma këshillimore EY, rreth 67% e “vendimmarrësve ndërkombëtarë” presin që prania europiane e firmës së tyre do të rritet, nga 40% në vitin 2021.
Kjo mund të përfshijë kompanitë e mbrojtjes, të cilat do të furnizojnë forcat e armatosura të kontinentit dhe prodhuesit e pajisjeve elektronike në Kinë.
Por pjesa më e madhe e ristrukturimit të kontinentit do të jetë më pak e këndshme. Kompania Continental, një nga furnizuesit më të mëdhenj të pjesëve të këmbimit të makinave në Gjermani, po eliminon disa mijëra vende pune. Kompania Bosch do të heqë qafe 1200 pozicione në sektorin e softuerit të automobilave. Kompani të tjera në industrinë e makinave kanë njoftuar gjithashtu se do të bëjnë shkurtime.
Goditja e viteve të mëparshme që erdhi nga Kina, nxiti përparimet teknologjike në Europë, pasi punëtorët u zhvendosën në kompani më produktive që investuan në risi.
Por gjatë 15 viteve të fundit, firmat e prekura nga konkurrenca kineze kanë treguar shenja të rritjes më të ngadaltë të produktivitetit, sipas hulumtimit nga Klaus Friesenbichler në Institutin Austriak të Kërkimeve Ekonomike.
Megjithëse Gjermania është fuqia më e madhe prodhuese e Europës, sfida e trefishtë që përmendëm më sipër mund të prekë të gjithë kontinentin. Rajonet me industri që përdorin shumë energji, ose që prodhojnë produkte për shitje në masë në Europën Perëndimore, me shumë gjasa do të pësojnë humbje. Firmat e suksesshme lokale mund të investojnë më shumë jashtë shtetit, ndërsa ato përshtaten me proteksionizmin.
Sipas një sondazhi të BQE-së, gjatë pesë viteve të ardhshme, rreth 75% e bizneseve të mëdha në Eurozonë parashikojnë të diversifikohen, të lëvizin prodhimin më afër pikave të shitjeve ose të zhvendosin disa pjesë të bizneseve në shtete me politikë më të ngjashme me atdheun e tyre.
Re të errëta
Qeveritë nuk kanë shumë mundësi manovrimi për të lehtësuar kalimin në industri të reja, duke pasur parasysh se së fundmi, burimet financiare kanë qenë të pamjaftueshme.
Ato kanë premtuar se do të shpenzojnë më shumë para për mbrojtjen dhe kanë pak dëshirë për reformat e mëdha të BE-së që mund të ndihmojnë në nxitjen e rritjes ekonomike. Kohët e fundit, blloku miratoi një shumë prej 1.2 miliardë eurosh në subvencione publike për fushën “cloud-computing”.
Siç thekson firma McKinsey Global Institute, kjo shumë është sa rreth 4% e investimit vjetor të Amazon Web Service. Patentat në teknologjitë e reja regjistrohen kryesisht nga firma amerikane dhe kineze. Pavarësisht nga popullsia e madhe, BE-ja ende ka vështirësi.
Tregtia e mallrave të brendshme nuk është aspak e qetë. Tregjet e shërbimeve janë më të përçara se kurrë.
Duke pasur parasysh këto kushte, një qasje e dytë bëhet më tërheqëse: këmbëngulja për të ruajtur metodën e vjetër, për të cilën lobimi është shumë i fortë. Në një epokë kur po rigjallërohet e djathta populiste, politikanët nuk duan të fajësohen për humbjen e vendeve të punës.
Për më tepër, puna e vështirë teknike e thellimit të tregjeve të kapitalit apo integrimit të tregjeve të energjisë elektrike, i jep frytet me vonesë. Në Bruksel dhe në Paris, po rriten thirrjet për subvencione të padobishme dhe forma të tjera të proteksionizmit.
Ndërkohë, Gjermania i ka duart e lidhura nga një koalicion trepartiak që nuk mund të pajtohet as edhe për diçka të vogël, aq më pak për një çështje të mprehtë që prek gjeopolitikën dhe politikën industriale. Ndërkohë që politikanët europianë grinden, më shumë anije të huaja do të bëjnë udhëtimin drejt porteve të Europës. Monitor, përktheu: Lira Muça