MENU
klinika

Vjen Botërori i Fëmijëve!

EKSKLUZIVE/ Presidenti Dervishi: Shqipëria, në hartën ndërkombëtare të shahut! (Video)

20.04.2024 - 17:02

        “Kasparovi, Magnus Carlsen dhe Bobby Fischer – elita e sportit të shahut, të të gjitha kohërave”

EKSKLUZIVE: Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald DERVISHI, Grand Master FIDE, flet për Kampionatin e radhës: FSHSH, pas Ligës së Kampionëve 2023 me Magnus Carlsen, do të presë në Durrës, fëmijët nga mbarë bota.

Durrësi është tanimë emblema bashkuese e aktiviteteve të mëdha shahistike, në rang botëror: “Vetëm nga Maji 2023 deri në Prill 2024, ky është kampionati i Tretë Ndërkombëtar, me një impakt dhe sukses të garantuar” – i ftuar nga gazetari Xhoi Malësia në “Breaking me Xhoi Malësia” – Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, rrëfen sfidat e një shahisti dhe drejtuesi njëkohësisht, në prag të garës së madhe të fëmijëve…

Ai shprehet, se:

Dervishi: Pas një eventi madhështor, siç ishte Liga e Kampionëve që solli në Shqipëri, emrat më të mëdhenj të shahut botëror, bashkë më legjendën e gjallë, kampionin e botës Magnus Carlsen, Shqipëria hap dyert për një tjetër event, po të këtyre përmasave.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut: Me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe shpresojmë, edhe të qeverisë, të mundësojmë përfshirjen e sportit të shahut në shkolla. Me përfshirjen e shahut në shkolla, besoj se do të kemi rezultate spektakolare, brenda një kohe shumë të shkurtër!

…duke vijuar, më tej:

Federata Shqiptare e Shahut ka nderin të presë dhe organizojë, Botërorin e Fëmijëve FIDE 2024, nga 25-29 Prill. Janë 350 fëmijë, nga 8-12 vjeç, të cilët mbërrijnë në Durrës dhe që, së bashku me shoqëruesit, apo prindërit numërojnë rreth 800 vetë, të përfshirë në këtë aktivitet.

Ne kemi një grup mjaft të talentuar fëmijësh, të moshave fare të reja. Aktualisht, kemi nxjerrë kampion Europe, për moshat nën 14 vjeç. Disa prej fëmijëve tanë, kanë dalë në vende të para, të dyta dhe të treta në kampionate ballkanike, si në kohë të shpejtë edhe në kohë të gjatë. Në këtë event, do të kemi rreth 35 fëmijë, deri në 12 vjeç. Veç pjesëmarrjes masive të fëmijëve në shah, po nxjerrim talente të reja, që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Këto aktivitete janë ndër më të rëndësishmet dhe vitin e ardhshëm, do të organizojmë një tjetër kampionat botëror.

Sporti në shkolla – nisma e ndërmarrë prej dy vitesh, me përfshirjen e basketbollit dhe volejbollit, në të gjitha shkollat shqiptare, është e mrekullueshme, do të thosha, – por sigurisht, sporti kërkon mbështetje më të madhe, si administrative edhe financiare – gjë që në Shqipëri, mungon. Edhe sporti i shahut e meriton një trajtim të tillë, në shkolla. Kjo, jo vetëm për veprimtaritë ndërkombëtare që ne sjellim; e meriton për zhvillimin e shahut shqiptar në këto vitet e fundit, nismën e ndërmarë nga ana jonë, me projektin e shahut në shkolla dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me MASR, prej vitit 2015 dhe shtrirjen në shumë shkolla të vendit, si dhe plejadën e fëmijëve që ne kemi tranjuar, ku do të veçoja Kler Cakun – Kampione Europe. Ailin Ndreko, po ashtu është një vajzë fare e vogël, me Medalje të Bronztë… Pra, po krijojmë një atmosferë të jashtëzakonshme, në lidhje me zhvillimin e sportit të shahut.

Sporti i shahut duhet dhe dashurohet kaq shumë, nga Shqipëria. Përkrahim sa të kemi mundësi dhe kampionët tanë aktualë, për të rritur, si për femra edhe për meshkuj. Por, pjesën dërrmuese të energjive tona, po e kanalizojmë te brezi i ri dhe po shohim rezultate shumë të mira. Impresionuese ende jo… Impresionuese, do t’i shohim, në një kohë shumë të shkurtër!..

 

achf.org.al/Konica.al