Ekspertiza e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili ndërroi jetë pak ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale të mjekut Roland Xhaxho, do të kryhet nga një grup mjekësh italianë.
Sipas gazetares Klodiana Lala, mjekët italianë do të kryejnë ekspertizën mjekoligjore të 3-vjeçarit për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private, brenda ambienteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.
Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”.
Akuza e babait të 3-vjeçarit
Babai i Brianit hodhi akuza ndaj mjekut Ronald Xhaxho duke thënë se djali do të bënte vetëm pastrim gurëzash, por klinika i ka bërë 14 dhëmbë.
I ati i 3-vjeçarit, u shpreh se mjeku ka gënjyer kur tha se djali ka dalë duke qarë nga klinika dhe duke kërkuar të vëllain. Sipas tij, vogëlushi s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit dhe doli i përgjumur.
Gjithashtu theksoi se “gjendja e gruas është e rënduar, është lehonë, se djali i vogël është 2 muajsh. Kërkoj të drejtën që ai doktor mos të ekzistojë më. Nuk mund ta quaj më mjek, as atë as stafin që ka atje. Shqetësimi ishte mbidoza e narkozës”.
“Djali për herë të parë në klinikë ka shkelur vetëm ditën e operacionit. Djali ka bërë operacion para dy vitesh, kam diskutuar edhe me doktorin, kam marrë edhe letër me vulë nga kardiopediatri, që ndiqte Brianin. Mjeku më tha që nuk ka asnjë problem fare që kishte bërë operacion në zemër. E çova për pastrim dhëmballe djalin atë ditë.
Unë në kohën që ky vazhdonte me ndërhyrjet e kam pyetur disa herë për pastrimin e gurëzave.
I kam thënë “mund të bëjmë një dhëmb sot, një nesër”. Më ka thënë “jo, sot”. Kam shkuar me bashkëshorten, gjyshin e tij dhe dajën e djalit. Nuk është kuruar asnjëherë për infeksion në gojë.
Çdo 6 muaj bënim analizat, në datën 28 ai ka bërë vetë analizat. Mjeku tha që janë në rregull, vazhdojmë procedurat.
Kam folur me Roland Xhaxhon dhe Ina Xhaxhon. Ai më tha që do zgjaste operacioni maksimumi 3 orë.
Më ka thënë anestezi e gjenerale, jo totale siç thotë ai. Briani u fut rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe ka dalë në 19:00. I trokita tek dera disa herë thanë vazhdon procedura. Briani është shumë në rregull tha mjeku, pas përfundimit të ndërhyrjes.
Nuk është e vërtetë që djali ka dalë duke qarë, ishte i përgjumur. E kishim lënë për 1-2 dhëmbë, në fund kur do bënim pagesën na thanë 14 dhëmbë.
Mjekun e telefonova kur djalit filloi që t’i ngrihej temperatura. Nuk ia uli temperaturën, e dërgova në reaminacion”, akuzoi babai i Brian Spahiut.
Reagimi i mjekut Roland Xhaxho
Mjeku Roland Xhaxho u shpreh se procedura e ndërhyrjes ka qenë sipas protokolleve ndërkombëtare, ndërsa theksoi se prinderit kane firmosur per kryerjen e anestezise.
Sa i përket fëmijës, mjeku theksoi se nga klinika ka dalë i zgjuar në krahët e të atit, ndersa shprehej se 3-vjeçari ka pasur infeksione.
“Fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme ashtu siç ishim sqaruar me prindërit të cilët kane firmosur edhe konsensusin. Pse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me defekt në zemër për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë.
Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatre infeksioni te këta fëmijë sepse shkakton infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve. Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij”, deklaroi doktori.
Sipas mjekut, gjendja është komplikuar kur fëmija ka qenë në shtëpi dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT-së nga prindërit. Xhaxho shprehet se sapo është informuar për këtë, ka kontaktuar me kolegët e QSUT dhe me kërkesë të familjarëve ka qenë duke i asistuar ata.
“Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës.
Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës.
Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, shprehet ai.
Reagimi i Ina Xhaxhos
Stomatologia Ina Xhaxho, vajza e mjekut Roland Xhaxho, në klinikën e së cilës u krye ndërhyrja dentare e 3-vjeçarit, reagoi në një postim në rrjetet sociale, pasi kolegët e saj e pyesnin në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik.
Stomatologia u kërkoi që të marrin informacione të sakta për anamnezën e fëmijës, dhe të mos gjykojnë pa e ditur arsyen e ndarjes nga jeta të 3-vjeçarit.
“Prisni ekspertizën me besoni, prisni edhe pak une ketu jam nese kam bere dicka gabim prap ketu jam”, shkruan Xhaxho, ndërsa theksoi se i ka dërguar ankesë “Urdhrit të Stomatologëve” për të pasur kujdes për informacionet që dalin në emrin e saj.
Zbardhja e skandalit
Klinika e mjekut Roland Xhaxho nuk kishte licencë për klinikë dentare. Ky skandal është zbardhur nga News24, që ka publikuar edhe dokumentet.
Në dokumente tregohet fakti se vajzës së Roland Xhaxhos, Ina Xhaxhos i është refuzuar marrja e licencës 6 herë dhe e ka marrë licencën vetëm 1 muaj pas ngjarjes tragjike, ku 3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë pas ndërhyrjes në klinikën dentare.
3-vjeçari kreu ndërhyrje në klinikën dentare në fund të muajit shtator 2023 dhe ndërroi jetë më 1 tetor, ndërsa në dokumentet vërtetohet se Ina Xhaxho e ka marrë licencën me 31 tetor 2023, një muaj më pas.
Në dokumentet tregohet një inspektim që është bërë nga Inspektoriati Shtetëtor Shëndetësor menjëherë pas ngjarjes, i cili ka rezultuar se subjekti në fjalë nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit në shërbime mjekësore dhe stomatologjike në kohën kur ka kryer ndërhyrjen.