MENU
klinika

Mete jep detaje

Emigrantët do të shpenzojnë më pak për të dërguar para në atdhe!

27.04.2024 - 19:59

Së shpejti emigrantët shqiptarë do të shpenzojnë më pak për t’u dërguar para familjeve të tyre në atdhe. Brenda këtij viti Shqipëria pritet të bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro. Lajmin e dha ministri i Financave, Ervin Mete nga Podgorica e Malit të Zi, dy ditë pas miratimit të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria është në një fazë të avancuar sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA. Banka e Shqipërisë ka miratuar setin e rregulloreve të nevojshme dhe në fund të muajit të kaluar kemi përfunduar procedurën e para-aplikimit”, u shpreh Ervin Mete, Ministër i Financave.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë pjesëmarrja e vendit në SEPA do t’i kursente shqiptarëve deri në 14 milionë euro në vit. Po rruga drejt Zonë së Vetme e Pagesave në Euro nuk është aq e lehtë. Në kuadër të planit të rritjes me vlerë 6 miliardë euro, në negociata për t’u anëtarësuar në SEPA janë dhe shtet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Evropian, prandaj është me rëndësi që ne të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare”, shtoi Mete.

Shqipëria pritet të aplikojë për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro në qershor. Paraprakisht kërkesa ka gjetur mbështetjen edhe të institucioneve të Bashkimit Europian.

“Do t’ju mbështesim për të avancuar me procesin, i cili sjell lehtësimin e tregtisë në rajon. Për ne është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit në mënyrë që ata të kenë një rritje të eksporteve dhe të bëhen edhe më atraktivë sa i përket investimeve të huaja”, deklaroi Valentina Superti, Përfaqësues e KE në Ballkanin Perëndimor.

Aktualisht Zona e vetme e pagesave në euro, mundëson kryerjen e transfertave në Euro në 36 vende anëtare dhe jo-anëtare të Bashkimit Evropian.