Riemërimi i Ursula von der Leyen në krye të ekzekutivit të BE-së dukej një gjë e natyrshme, por udhëheqja e saj e ekzekutivit të BE-së e ka humbur “shkëlqimin e saj”, pas tërheqjes nga detyra të të dërguarit të saj të SME-ve, Markus Pieper, dhe pas disa lëkundjeve mbi reagimin e saj ndaj krizës në Lindjen e Mesme. Mundësia që ajo tani të mos marrë mbështetjen e liderëve të BE-së dhe të eurodeputetëve të ardhshëm këtë verë është bërë një perspektivë më realiste. Mundësia e saj perfekte ka qenë gjithmonë ideja për vazhdimësi me Komisionin aktual, por edhe mungesa e konkurrentëve aktualë për postin e saj. Megjithatë, emrat alternativë për të zënë karrigen e saj, po qarkullojnë kudo, të paktën në Bruksel, edhe pse kandidatët e tjerë “nuk e kanë hedhur ende zyrtarisht “kapelen në ring”, dhe me shumë gjasa do të mbeten “mister” deri pak përpara zgjedhjeve.
Emrat surprizë
Midis emrave më të përfolur janë Mario Draghi, guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane midis 2011 dhe 2019; drejtoresha aktuale e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva apo Christine Lagarde, guvernatorja aktuale e Bankës Qendrore Evropiane. Megjithatë, në listën e kandidatëve, ka disa emra suprizë. Sipas gazetës gjermane Bild, janë kristalizuar dy zëvendësime alternative për Von der Leyen në krye të komisionit, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dhe ai grek Kyriakos Mitsotakis. “Të dy Plenkoviç dhe Mitsotakis raportohet se kanë shprehur tashmë interes për të qenë kandidatë për pasardhësin e Ursula von der Leyen. Roberta Metsoli nga Malta, e cila nuk ka përvojë në pushtetin ekzekutiv, por ka shumë vetëbesim dhe ambicie, siç u dëshmua në kongresin e emërimit të PPE në Bukuresht në fillim të marsit, përflitet si kandidate, me një talent më të madh për fjalime se von der Leyen”, shkruan media gjermane.
Kyriakos Mitsotakis
Kyriakos Mitsotakis është kryeministri aktual i Greqisë në mandatin e tij të dytë që filloi në qershor të vitit të kaluar. Ai u zgjodh për herë të parë në postin e kryeministrit në vitin 2019. Mitsotakis është kreu i Partisë Demokracia e Re dhe para se të fitonte zgjedhjet e vitit 2019, ai ishte lider i opozitës greke nga viti 2016 deri në vitin 2019 dhe më parë ministër për reformën administrative nga viti 2013 deri në 2015. Si kreu i shtetit, Mitsotakis është i mbushur me lëvdata dhe kritika. Ai mori vlerësime të larta për menaxhimin e tij të ekonomisë greke. Nga ana tjetër, ai është kritikuar për mënyrën se si e menaxhon sistemin shëndetësor gjatë krizës së Covid-19 dhe për mënyrën se si nuk e zgjidh problemin e migrimit të paligjshëm. Mandatet e tij u ndikuan gjithashtu negativisht nga skandali i përgjimeve në 2022 dhe zjarret katastrofike në 2021 dhe 2023. Megjithatë, ai është shumë me ndikim në Partinë Popullore Evropiane (EPP). Mitsotakis pëlqehet shumë nga liderët e tjerë të BE-së dhe mund të jetë gjithashtu një zgjedhje e mirë për të kryesuar Këshillin Evropian nëse PPE nuk arrin të marrë postin e Komisionit. Së fundmi, ai theksoi tre shtysat kryesore për mandatin e ardhshëm të BE-së: autonominë strategjike, konkurrencën dhe sigurinë ushqimore.
Andrej Plenkoviç
Nga ana tjetër, kryeministri kroat ka udhëhequr qeverinë që nga viti 2016 dhe mund të tundohet të ndjekë një karrierë më ndërkombëtare, veçanërisht pas zgjedhjeve kombëtare të kësaj jave, ku ai rezultoi fitues. Votuesit zgjodhën midis HDZ-së konservatore në pushtet të Plenkoviçit dhe një opozitare që përbëhet nga parti më të vogla të qendrës dhe të majtë, të udhëhequr jozyrtarisht nga populisti Milanoviç dhe Partia e tij Social Demokratike (SDP). Duke marrë detyrën në vitin 2016, lideri i Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, është përballur me pandeminë COVID-19, recesionin e mëvonshëm, krizën e migracionit dhe pasojat nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Përvoja e gjatë si kreu i qeverisë mund ta ndihmonte dhe zgjedhja e tij në krye të Komisionit Europian do të ishte sinjali i vullnetit të mirë për vendet kandidate në listën e pritjes. Miqësia e Plenkoviç me shumë kolegë liderë të BE-së mund t’i shërbejë dhe ta bëjë më të lehtë emërimin.