Federico Bernacca, gjeneral brigade dhe zëvendëskomandant i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), në kuadër të Forumit Ballkanik të Budapestit (BBF) që organizohet nga Instituti i Hungarisë për Çështje Ndërkombëtare (HIIA), dërgoi një mesazh të qartë për të gjithë ata që mendojnë se mund ta sulmojnë KFOR-in edhe njëherë dhe të kalojnë pa u ndëshkuar.
“Nëse dikush dëshiron të ngatërrohet me pjesëtarët tanë, do të ketë punë me të gjithë organizatën ushtarake më të fuqishme në tokë”, deklaroi gjenerali italian, duke kujtuar sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në maj të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ku u lënduan rëndë dhjetra ushtarë të KFOR-it.
Bernacca ndër të tjera theksoi se lufta në Ukrainë shkaktoi kërcënime të rënda të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, duke përkeqësuar gjithashtu edhe situatën nëpërmjet promovimit të lajmeve të rreme dhe krijimit të një vakumi social dhe politik që mund të shfrytëzohet nga faktorë irracionalë ose emocionalë, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë.
“Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE), problemet mund të zgjidhen përgjithmonë”, nënvizoi ndër të tjera gjenerali italian, duke shtuar se kjo nuk do të thotë që KFOR-i të mos i mbajë sytë hapur 24/7 në çdo cep të territorit të Kosovës.