Gjykata e Posaçme ka njohur sot ish-drejtorin e Drejtorisë së Transportit të Trafikut Rrugor në Bashkinë e Tiranës Enton Punavijan me masën e sigurisë detyrim paraqitje në lidhje me dosjen “5D”.
Punavija akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera e kryer dy herë dhe në bashkëpunim.
Masa ndaj tij u caktua njëherësh me ato ndaj drejtorëve bashkiakë Mariglen Qato, Redi Molla, Taulant Tushe etj, por për shkak se nuk ndodhej në Shqipëri kur u krye operacioni, u caktua një datë tjetër për seancën.
Arrestimet vijnë në kuadër të dosjen 5D, për të cilën opozita ka bërë disa denoncime.
Sipas të dhënave, SPAK-u ka kryer hetime intensive duke e zgjeruar një kallëzim të kryer nga Belind Këlliçi në një dosje voluminoze ku përfshihen disa drejtorë kryesorë, të cilët kanë qarkulluar në disa prej drejtorive kryesore të Bashkisë Tiranë.
Bëhet fjalë për të dhëna, të cilat shkojnë te subjektet dhe personat e përfshirë në dosjen e famshme “5D”.
Ka qenë politikani Belind Këlliçi, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 Majit denoncoi drejtorët që merrnin miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.
Belind Këlliçi ka denoncuar korrupsionin galopant në Bashkinë e Tiranës, ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë dhe njerëzit më të afërt të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj. Konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato.
Si u ndërtua kompania?
Në rend kronologjik gjithçka fillon me rrotacionin dhe marrjen nga socialistët të drejtimit të Bashkisë Tiranë, pra në 2015-ën, ku rezulton të jetë kryer në funksionet drejtuese të ndërmarrjeve apo shoqërive aksionere në varësi apo pronësi të Bashkisë Tiranë, të gjithë këtyre drejtorëve që janë njerëz dhe bashkëpunëtorë të pushtetit.
Njëri prej personave që mori funksione drejtuese, është edhe zoti Mariglen Qato, i cili sipas të dhënave të bëra publike u emërua drejtor drejtorie në DPN2, e më pas si Drejtor Departamenti pranë Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, 2016-2018, ndërkohë që prej shtatorit të vitit 2018 drejton dhe është Kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë.
Qato konsiderohet si një nga njerëzit më të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë. IKMT e Bashkisë Tiranë ka qenë një nga institucionet kryesore në shërbim të aferës së inceneratorëve dhe kompanisë së landfillit të Tiranës, ku nga ky bashkëpunim, përfshi edhe disa institucione të tjera, kompania ka siguruar të ardhura që shkojnë mbi 60 milionë euro, kjo si pjesë e një marrëveshjeje të firmosur mes disa strukturave të bashkisë dhe kompanisë.
Pasi socialistët morën detyrën dhe filluan të ushtronin funksionet publike vendimmarrëse sa më sipër, rezulton se në treg lindi një kompani e re që sot njihet dhe figuron e regjistruar në regjistrin tregtar me emrin “5D KONSTRUKSION” sh.p.k. Tiranë, themeluar fillimisht në datën 21.01.2016.
Nga verifikimi “online” i regjistrit tregtar që mbahet, administrohet dhe përditësohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, rezultojnë të dhëna interesante, të cilat tregojnë lidhjet dhe veprimet e kësaj kompanie tashmë të famshme.