MENU
klinika

Dosja kthehet për hetim

GJKKO refuzon marrëveshjen mes SPAK dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana

30.04.2024 - 11:52

Gjykata e Posaçme refuzon marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes SPAK dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana.

Ky i fundit dhe SPAK kishin arritur një marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti. GJKKO urdhëroi kthimin e dosjes për hetim nga ana e SPAK.

Marrëveshja parashikonte dënimin e Gjanës me 1 vit e 6 muaj burgim dhe konvertimin në 3 vite shërbim prove dhe si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5 vjeçar.

Lidhur me procedurat për të cilat akuzohet ish-zyrtari, ka dhënë deklarime edhe ish kryebashkiaku Safet Gjici. Nga qelia e burgut ku shlyen dënimin për shpërdorim detyre pas videoskandalit seksual në zyrën e tij, Gjici tha se nuk i kujtohen detaje.

“Më date 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë që kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, thuhet në dosjen e SPAK.

Kjo e fundit duhet të vijojë hetimet për të bindur gjykatën mbi fajësinë e Gjanës dhe zbardhjen e veprës penale në dy tenderat.